Rusia ka krijuar një brigadë speciale “Spetsnaz” të përbërë nga robër lufte ukrainas dhe ushtarakë që, sipas autoriteteve ruse, kanë kaluar në anën e Moskës, një praktikë që përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW), i cili i referohet njoftimit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes për krijimin e “Brigadës së Parë Vullnetare Ukrainase Spetsnaz”.
Sipas ISW-së, njësia e re është krijuar nga bashkimi i disa formacioneve të parregullta, përfshirë batalionet “Maxim Krivonos” dhe “Alexei Berest”, si dhe njësitë “Alexander Matrosov”, “Martyn Pushkar” dhe “Slobodskoy”, të cilat, sipas raportit, përbëhen nga robër lufte ukrainas ose ushtarakë të detyruar të bashkëpunojnë me forcat ruse.
Raporti thekson se blogerë ushtarakë rusë kanë pranuar se brigada mbështetet te robërit ukrainas për plotësimin e personelit, duke e cilësuar këtë si vazhdim të një praktike që ISW-ja e ka dokumentuar që në vitin 2022.
Sipas institutit, detyrimi i robërve të luftës për të marrë pjesë në operacione ushtarake bie ndesh me Konventën e Gjenevës për Trajtimin e Robërve të Luftës, e cila ndalon përdorimin e tyre në luftime ose në detyra që i ekspozojnë ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë.
Raporti rikujton gjithashtu akuzat e mëparshme për trajtimin e robërve ukrainas në burgjet ruse, ku, sipas tij, ata janë përballur me tortura, uri të detyruar dhe forma të tjera të dhunës fizike e psikologjike.
Ndërkohë, Ukraina ka ndërmarrë masa kundër zyrtarëve rusë që akuzohen për abuzime ndaj robërve të luftës, duke vendosur më herët sanksione ndaj gjyqtarëve rusë që, sipas Kievit, kanë dënuar në mënyrë të paligjshme ushtarakë ukrainas të kapur rob.



