Rusia kërcenon ShBA-në dhe NATO-n

Një diplomat i lartë rus paralajmëroi se Moska do të sulmojë dërgesat e Perëndimit për pajisje me armë dhe municione në Ukrainë.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha se Moska ka paralajmëruar ShBA-në se do t’i konsideronte objektiva legjitime ushtarake dërgesat amerikane dhe të Perëndimit në Ukranë.

Ryabkov tha se Rusia “paralajmëroi ShBA-në se dërgimi i armëve në Ukrainë nga një numër vendesh që ajo orkestron nuk është vetëm një veprim i rrezikshëm, është një veprim që i bën ato autokolona objektiva legjitime”.

Ai gjithashtu denoncoi sanksionet e ShBA-së kundër Moskës si një “përpjekje e paprecedentë për t’i dhënë një goditje serioze sektorëve të ndryshëm të ekonomisë ruse”, por vuri në dukje se Moska do të veprojë në një mënyrë të matur për të shmangur dëmtimin e vetvetes.

Rusët kishin njoftuar edhe më parë se do të sulmonin dërgesat e Perëndimit në Ukrainë duke bërë që të përgjigjet shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili tha se kjo do të sillte një përshkallëzim të rrezikshme të situatës.