Rusia i vazhdon bombardimet e pareshtura ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

TOPSHOT - Ukrainian soldiers adjust a national flag atop a personnel armoured carrier on a road near Lyman, Donetsk region on October 4, 2022, amid the Russian invasion of Ukraine. - Ukraine's President Volodymyr Zelensky said on October 2, 2022 that Lyman, a key town located in one of four Ukrainian regions annexed by Russia, had been "cleared" of Moscow's troops. (Photo by Anatolii Stepanov / AFP) (Photo by ANATOLII STEPANOV/AFP via Getty Images)

Rusia i ka vazhduar të dielën sulme e pareshtura kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Autoritetet në rajonin jugor Mikolaiv thanë se dronët kamikazë rusë e goditën një ngrohtore dhe e dëmtuan një hotel mëngjesin e së dielës.

Pamjet të publikuara nga shërbimet emergjente në Telegram shfaqin gërmadhat dhe dëmet e shkaktuara në një ndërtesë dhe në një kënd të lojërave për fëmijë. Nuk u raportua për viktima.

Forca Ajrore e Ukrainës tha se i ka shkatërruar një dron të lëshuar nga Rusia mbi Mikolaiv, dhe katër dronë të tjerë në pjesë të tjera të vendit.

Sulmi i sotëm është vazhdimësi e sulmeve të së shtunës kur ushtria ruse kreu sulme ajrore kundër termocentraleve dhe hidrocentraleve në disa rajone ukrainase.

DTEK, kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, tha të shtunën se katër termocentrale të saj u goditën nga sulmet ajrore ruse.

Duke folur të shtunën pas sulmeve, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut sërish aleatëve të Kievit për kundërajrorë dhe për furnizim të shpejtë me armë.

Zelensky tha se zonat që furnizojnë me gaz natyral vendet e Bashkimit Evropian janë në veçanti në shënjestrën e sulmeve ruse.

“Caku kryesor ishte sektori i energjisë, objekte të ndryshme në këtë industri, ato energjetike dhe të gazit. Në veçanti, objektet e gazit që janë jetike për sigurimin e furnizimit të sigurt për Bashkimin Evropian”, tha Zelensky.

Në muajt e fundit, ushtria ruse i ka rritur dhe shpeshtuar sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke i goditur termocentralet dhe hidrocentralet pothuajse përditë.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vendi e ka humbur rreth 80 për qind të prodhimin të rrymës nga termocentralet dhe 35 për qind nga hidrocentralet, duke e detyruar Qeverinë ta vendosë reduktime të rrymës në disa rajone.

Edhe infrastruktura ruse e naftës dhe gazit është sulmuar kohëve të fundit, përfshirë një rafineri e naftës në rajonin rus Krasnodar, e cila të shtunën e ndërpreu punën, pas një sulmi të dyshuar ukrainas me dronë.

Ukraina, e cila rrallëherë komenton rreth sulmeve të saj në zonat ruse, nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm./rel