Rusia hyri si superfuqi, përfundoi si Koreja e Veriut

7 ditë nga urdhri i Vladimir Putinit për të sulmuar Ukrainën, bilanci si në terren, ashtu dhe në rrafsh moral, është shumë larg asaj që kishte shpresuar presidenti rus.

“Vini, vidi, vici” (Erdha, Pashë, Fitova), e shefit të Kremlinit, një javë nga fillimi i mësymjes, është kthyer në ankth për atë vetë. Në letër, ushtria e fuqishme ruse, shumë më superiore në çdo drejtim nga ajo ukrainase, me armët e avancuara, kapacitetet superiore në hapësirën kibernetike dhe zhvendosjen e sofistikuar të forcave ushtarake, duhet ta kishte marrë Kievin me kohë.
Realiteti ama është pak më ndryshe. Trupat e Moskës janë ngujuar në periferi të kryeqytetit ukrainas, në një autokolonë 60 km, por pa hedhur asnjë hap më shumë. Me përjashtim të qytetit Kherson, rusët nuk kanë kontrollin e asnjë qendre tjetër të rëndësishme të banuar në Ukrainë. Viktima ndërkohë ka pasur nga të dyja palët, pasojë e pashmangshme kjo e një konflikti të armatosur.
Sipas OKB-së, 227 civilë janë vrarë dhe 525 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit në 24 shkurt. Shërbimi vendas i emergjencës flet për mbi 2000 të vdekur në radhët e civilëve, pretendime këto që nuk janë verifikuar dot në mënyrë të paanshme. 1 milionë janë të shpërngulurit. Megjithatë, sipas ekspertëve ushtarakë të NATO-s, mësymja ruse duket se në afat më të gjatë mund të rezultojë e suksesshme me strategjinë e saj të shtrëngimit të fytit në mënyrë të avashtë. Strategjitë, të cilës nuk do t’i rezistonte dot ushtria ukrainase. Por nëse lufta në Ukrainë zgjat, pushtimi nuk do ishtë gjë e mirë ushtarakisht për rusët, pasi ukrainasit po tregojnë se kanë edhe rezistencë qytetare.
Kjo sipas ekspertëve do të krijonte një situatë të ngjashme me pushtimin sovjetik të Afganistanit në 1979, pushtim i cili zgjati 20 vjet dhe jo vetëm përfundoi me tërheqjen ushtarake të Moskës, por edhe më rrënimin e perandorisë së kuqe sovjetike.
Por humbja reale e Rusisë është ajo e fytyrës së saj në skenën botërorë. Çdo bombë që bie mbi Ukrainë, i shton asaj mbështetjen e thuajse të gjithë botës. Parlamenti Europian i kërkoi institucioneve të BE-së t’i japin sa më shpejt statusin e vendit kandidat, ndërsa në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, asnjëherë më shumë kombe nuk e kishin mbështetur njëzëri një rezolutë si ajo që dënoi sulmin rus.
Moska po e gjen veten më të izoluar nga sa mund ta kishte imagjinuar ndonjëherë, në krah në atë sallë pati vetëm Bjellorusinë, Eritrean, Korenë e Veriut dhe Sirinë. Edhe aleatja e saj e madhe, Serbia votoi kundër Rusisë. Hungaria po ashtu e harroi miqësinë me Moskën kur zgjodhi të përkrahte sanksionet e BE-së, ndërkohë që Turqia nuk humbi rastin t’i mbyllte daljen ushtarake të anijeve ruse në Mesdhe.
Një javë nga nisja e pushtimit është shumë shpejt për deklarata përfundimtare, megjithatë është e qartë tashmë se Ukraina me rezistencën e rrallë të ushtrisë dhe popullit te vet befasoi botën dhe vetë Moskën, ndërsa moralisht këtë luftë e fitoi që në momentin kur drejt saj u lëshua raketa e parë ruse.
Putin sot ka përkrah vetëm Lukashenkon, Kim Jong Un dhe Bashr al Asadin e Sirisë.

Top Channel