Rritet çmimi i naftës menjëherë pas sulmit të Izraelit drejt Iranit

Çmimet e naftës dhe arit janë rritur menjëherë pas sulmit izraelit drejt Iranit.

Investitorët kanë ndjekur nga afër reagimin e Izraelit ndaj sulmit të drejtpërdrejt me dron dhe raketa të Iranit javën e kaluar.

Që atëherë ka pasur shqetësime se një përkeqësim i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të reduktojë furnizimet me naftë.

Bëhet e ditur se çmimet e naftës fillimisht u rritën për 3.5 për qind. Megjithatë, ato u ulën përsëri kur mediat iraniane raportuan se nuk ka dëme në qytetin Isfahan ku edhe raportohej për shpërthime nga hakmarrja izraelite në orët e mëngjesit të së premtes.

Ndryshe, rritjet e çmimeve të naftës rrezikojnë të nxisin edhe inflacionin, shkruan BBC.

“Është mirë të veprohet sa nuk është përshkallëzuar situata më tej dhe shpresojmë se kjo përçarje në tregje të jetë jetëshkurtër”, tha Randeep Somel, menaxher i fondeve në M&G Investment Management.

Përveç naftës, edhe çmimi i arit rritet në momente pasigurie si ky, pasi konsiderohet si investim i sigurt.

E tensionet e rritura në Lindjen e Mesme kanë rritur shqetësimet edhe për bllokimin e mundshëm të rrugës detare në ngushticën e Hormuzit midis Omanit dhe Iranit, rrugë kjo nga e cila kalon 20 për qind e furnizimit të përgjithshëm të botës me naftë.

Sipas Administratës së Informacionit të Energjisë së SHBA-së, Irani është prodhuesi i shtatë më i madh i naftës në botë.

Me sa duket, rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës është reagim ndaj frikës së një përshkallëzimi të ri të luftës midis Izraelit dhe Iranit.