Rriten thirrjet që Benzema të lihet në bankën rezervë

Karim Benzema është fituesi në fuqi i “Topit të Artë”, më i miri në botë sezonin e kaluar dhe pa dyshim edhe lojtari më i mirë te Real Madridi.

Por, së fundmi në këtë sezon, është një numër njerëzish që po kërkojnë që francezi të lihet në stol, transmeton Gazeta Express.

Benzema nuk ka qenë në gjendjen e tij fizike më të mirë këtë sezon, teksa rrallëherë ka kompletuar një javë të plotë stërvitjeje.

Por, 35-vjeçari nuk ka munguar në aq shumë ndeshje që nga Kupa e Botës “Katar 2022”, por duket se nuk është në formën e tij që kishte sezonin e kaluar.

Kundër Barcelonës të dielën, kjo ishte edhe një herë evidente, pasi Benzema “luftoi” për të hyrë në lojë në pjesën e dytë dhe nuk mundi të lidhej efektivisht me shokët e tij të skuadrës.

19 gola dhe 5 asistime në 29 ndeshje do të ishin statistika të shkëlqyera për shumicën e sulmuesve, por “Relevo” thekson se në këtë fazë sezonin e kaluar, ish-reprezentuesi i Francës kishte 36 gola dhe 15 asistime.

Nuk ka dyshim se ai nuk është i njëjti lojtar si sezonin e kaluar.

“Marca” publikoi një koment nga njohësi sportiv, Amalio Moratalla, një ditë “El Clasicos”, i cili i bëri thirrje Carlo Ancelottit të linte Benzeman në stol.

Ndërkohë, gazetari i afërt me klubin nga Madridi, Kiyan Sobhani, i bëri thirrje Ancelottit të konsideronte përdorimin e Rodrygo Goes në vend të Benzemas, duke pasur parasysh gjendjen e tij aktuale fizike.

Sipas “Football Espana”, mungesa e aftësisë fizike të ish-sulmuesit të Lyonit ka qenë një problem gjatë gjithë sezonit dhe nuk është e padrejtë të thuhet se “Los Blancos” dukeshin më mirë në fazat fillestare të sezonit pa Benzeman, sesa tani.

Nëse problemet e njëjta vazhdojnë, do të bëhet një pikë diskutimi madhor përpara një çerekfinaleje të Ligës së Kampionëve me rëndësi shumë të madhe për sezonin e Real Madridit.

Kampioni në fuqi evropian në çerekfinale do të përballet me Chelsean. /Gazeta Express/