Rreth 2 000 pjesëmarrës në Forumin e Boaos për Azinë

Rreth 2 000 veta do të marrin pjesë në konferencën vjetore të Forumit të Boaos për Azinë (BFA) 2024, e planifikuar për t’u zhvilluar nga 26 deri më 29 mars në Boao, një qytet bregdetar në provincën ishullore kineze Hainan, tha të martën sekretari i përgjithshëm i Forumit të Boaos për Azinë, Li Baodong. Konferenca e këtij viti do të ndiqet nga rreth 2 000 delegatë nga mbi 60 vende e rajone dhe më shumë se 1 100 gazetarë nga rreth 40 vende dhe rajone.

Me temën “Azia dhe bota: Sfida të përbashkëta, përgjegjësi të përbashkëta”, kjo veprimtari do të përqendrohet rreth pesë temave kryesore, përkatësisht “Ekonomia botërore”, “Inovacioni shkencor e teknologjik”, “Zhvillimi shoqëror”, “Bashkëpunimi ndërkombëtar” dhe “Përballimi i përbashkët i sfidave” shkruan CMG.

Sfidat me të cilat përballet bota sot janë komplekse dhe vetëm duke i përballuar ato së bashku, duke marrë mbi supe përgjegjësitë dhe duke forcuar bashkëpunimin, bota mund të vazhdojë të ecë në rrugën e paqes dhe lulëzimit, tha Li në konferencën e parë për shtypin në kuadër të kësaj veprimtarie të martën.

Ai vuri në dukje se nëpërmjet diskutimeve në konferencë, Forumi i Boaos për Azinë shpreson të përmbledhë mençurinë e të gjitha palëve, të bashkojë forcat e Azisë dhe të botës, duke kapërcyer vështirësitë dhe duke krijuar një të ardhme më të mirë.

Forumi i Boaos për Azinë, i themeluar në vitin 2001, është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare dhe jofitimprurëse e angazhuar për të promovuar integrimin ekonomik rajonal dhe për t’i ndimuar vendet aziatike të realizojnë objektivat e tyre të zhvillimit.