Rrëfimi i rrallë i analistit nga Gjermania: Ja si u përjashtua Vjosa Osmani nga LDK, babai saj kuadër i FARK-ut të Rugovës

Më 4 prill erdhi në krye të shtetit të Kosovës, dhe menjëherë nisi “lufta” speciale kundër Vjosa Osmanit, presidente e Republikës së Kosovës.

Përveç që nuk i dhanë mbështetje në ditën kur Vjosa Osmani u zgjosh presidente e vendit, dy partitë opozitare; Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vazhduan me sulme dhe deklaratat kundër saj.

Presidentja Osmani u kritikua shumë, pasi kur ajo foli për betejën e Koshares në llogarinë e saj në Facebook, nuk përmendi UÇK-në.

E, lidhur me këtë “luftë” që po bëhet ndaj të pares së shtetit ka folur njohësi i çështjeve politike.

Analisti politik, Idriz Zeqiraj, që jeton dhe vepron në Gjermani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar se formimi dhe ngritja e një personaliteti si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është rastësi.

Zeqiraj për herë të parë ka thënë se familja e presidentes Osmani, në këtë rast babai i saj Raifi, ishte kuadër i FARK-ut të Ibrahim Rugovës, dhe i burgosur politik, në fillimet e përgatitjes për rezistencë.

“Përkundër, janë disa premisa, ndër ato edhe trashëgimia. Mbesa e Sylejman Vuçiternës, Vjosë Osmani, nacionalistit të dëshmuar, bashkëluftëtarit të Shaban Polluzhës, të cilin, diktatori Enver Hoxha e groposi të gjallë, në Kënetën e Maliqit, Korçë. Kam pasur rastin të bashkëvuaj, në Burgun e Burrelit, me shokët e brigadës të punës të Sylejmanit, të cilët rrëfenin, se mjeku i burgut ngulmoi ta shpëtonte nga vdekja, rrjedhja e gjakut nga plaga vetëvrasëse. Por, oficeri epror urdhëroi të varroset i gjallë, në baltën e kënetës, ku të burgosurit, të dënuar më punë të detyruar, hapnin kanale, për tharjen e Kënetës vdektare të Maliqit. Dhe, ashtu u bë. Familja fisnike e Vjosës, babai Raifi, kuadër i FARK-ut të Ibrahim Rugovës, i burgosur politik, në fillimet e përgatitjes për rezistencë, luftë. Profesori universitar, Arsim Bajrami, rrëfen: “10-shet e para Vjosa i ka nga unë. Ka qenë një studente e shkëlqyer. Është një juriste e mirë dhe e njeh mirë Kushtetutën. Mburrëm se kam bashkëpunuar me Vjosën në shumë procese shtet-ndërtuese”“, ka deklaruar fillimisht Zeqiraj.

Me tej Zeqiraj shprehet se përballja e parë e kualifikuar dhe profesionale e Vjosa Osmanit ishte kur kjo e fundit i bëri mbrojtje Pavarësisë së Kosovës.

“Dr. Vjosë Osmani, nxënëse e shkollës amerikane, në njërin nga Universitetet e atjeshëm, u shqua në studime, duke fituar të drejtën e ligjërimit, në të njëjtin Universitet. Si pjesë e stafit të Presidencës të Kosovës, Vjosa fitoi përvojën e nevojshme administrative dhe politike. Përballja e parë e kualifikuar dhe profesionale, ishte mbrojtja e Pavarësisë të Kosovës, pas kërkesës të Serbisë për zhbërjen e saj. Dhe, Vjosa, me ekipin e saj, triumfoi. E edukuar nga Familja e saj, me dashurinë e dlirë për Rugovën dhe LDK-në, Vjosa përcillte rrjedhat në partinë e saj të zemrës. Përjetoi rëndë ndarjen e saj në Kuvendin e 6-të Zgjedhor. Ajo vuri re ndërhyrjen e SHIK-ut, për ta dëmtuar edhe më tej LDK-në. Njeriu i lig, Blerim Kuqi, keqpërdori besimin e kryetar Sejdiut dhe punonte ta fuste LDK-në brenda AAK-së. Një çoroditje e partisë, që po i ndërronte padronët. Në krye të kësaj lufte speciale, ishte Hashim Thaçi. Dhe, porosia-amanet e Rugovës, se “Hashimi të mos lejohet të ngrihet në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”, u harrua dhe rrjedhojat qenë fatale për Kosovën”, tregon me tej Zeqiraj.

Në këtë bashkëbisedim Zeqiraj ka folur gjithashtu edhe për disa nga përballjet e guximshme që pati presidentja e vendit.

Kurse, shpjegon se si Vjosa Osmanit i erdhi në ndihmë Donikë Gërvalla, e cila sipas Zeqirajt, ishte po kaq luftarake, dhe e dëshmuar përgjatë viteve ‘90-ta.

“Qëllimet e liga të Hashimit, mund të jenë parë e hetuar edhe nga të tjerët, por kanë heshtur si peshqit. Ishte Vjosë Osmani ajo që u përball, guximshëm, si për Demarkacionin, Asociacionin, zgjedhjen e Hashimit president, koalicionin LDK-PDK, bisedimet konspirative me Vuçiq, për shkëmbim të territoreve dhe, më vonë, LDK-PAN. Por, Hashimi gjeti partner, argat, hiç më pak se kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, me mbështetës klanin e tij. Përballja e vetme, në një luftë të pabarabartë, është e vështirë. Në ndihmë, Vjosës, i erdhi si-motra e saj, Donikë Gërvalla, po kaq luftarake, e dëshmuar përgjatë 10-vjeçarit të viteve ‘90-ta dhe luftës në Kosovë, si veprimtarja më e shquar në botë, për çështjen e Kosovës. Kur mediat botërore e pyesnin Donikën, nëse është hero x – y, i vetëshpallur gjeneral në Kosovë? Ajo gjegjej: “A mund të jenë heronj kriminelët ordinerë, qofshin ata edhe gjeneralë të vetëshpallur?””, ka shtuar analisti politik.

Analisti Zeqiraj shpjegon se duke parë rënien rapide e rrënuese të LDK-së, Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës, atëbotë, zëdhënëse, iu bashkuan edhe disa të rinj, të cilët kishin bërë emër në këtë parti.

“U quajtën “Grupi i të rinjve”, “brezi i Republikës”, “Grupi i reformimit dhe i ndryshimit”. Por, mjeshtri i intrigave, Isa Mustafa, i ndihmuar edhe nga Hashimi me SHIK-un e tij, ndërhyri suksesshëm, me joshje të ndryshme, për ta zhbërë nismën e rezistencës të organizuar dhe izoloi Vjosën dhe Donikën. Për ta shpëtuar LDK-në, nga “rënia e lirë”, lidershipi-klan, afroi grupimin në fjalë, i kandidoi për deputetë, fituan, pasi elektorati i konsideroi si fraksion i lidershipit dhe i votoi, madje, Vjosën e propozuan kandidate për kryeministre. Hashim dallaverja, i regjur në dinakëri, i trembur nga koalicioni i shpresës, LDK-LVV, ndërhyri me sukses, i ndihmuar nga Isa, shembi koalicionin në fjalë; organizoi mocionin për rrëzimin e qeverisë-Kurti; u angazhua, madje, personalisht, për kompozimin e qeverisë-Hoti, rast unik, i veçantë, për një president”, shpjegon me tej ai.

Njohësi i çështjeve politike është i mendimit se Vjosa Osmani u përjashtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjë e cila, sipas tij, ndikoi dhe pati pakënaqësi edhe në strukturat e partisë.

“Vjosë Osmani, me shpirtin e saj luftarak, besuese në aftësitë e saj intelektuale, duke u qëndruar besnike premtimeve të dhëna elektoratit të LDK-së dhe shqiptarëve botërorë, se “kurrë koalicion me partitë-banda, të koalicionuara në PAN, do të luftoj, së bashku me Albinin, për ç’kapjen e shtetit. Lidershipi i LDK-së e përjashtoi, burracakërisht, Vjosë Osmanin. Pakënaqësi pati edhe në strukturat e partisë, për aktin qyqar dhe të turpshëm. Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të thoshte: “Vjosa i ndeji besnike premtimit të dhënë elektoratit. Ne e lamë vetëm. Por, Vjosa është një gjeneral, të cilën e presin beteja të reja”. Një parashikim i saktë. Pra, e tradhtuam. Kjo do të thotë se ndryshimin e donin edhe të tjerët në LDK. Dhe, jo vetëm brezi i Republikës. E bëmë këtë ekspoze të rrugëtimit aksionar, politik e qendresëtar të Vjosë Osmanit, për ta arritur kupolën e presidentes të Republikës të Kosovës”, ka theksuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

(Nesër mund ta lexoni pjesën e dytë të bashkëbisedimit me njohësin e çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, dhënë ekskluzivisht për gazetën “Bota sot” lidhur me konsistencën e Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës, dhe pikëtakimi me presidentin Rugova).