Rohde ia kujton Hillit deklaratën e Scholzit: E paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të jenë pjesë e BE-së

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili dje tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE, por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

Rohde kujtoi deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të bërë më 10 qershor 2022, i cili kishte thënë se “është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të jenë pjesë e BE-së”.

“Deklaratrat e Scholzit gjatë vizitave të tij në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke”.

“Kjo ende qëndron. Rruga është aty: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit nga të dyja palët sa më shpejt”, shkroi Rohde.

Kurse, Scholz pati thënë më 2022 se me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të çohet përpara.

“Marrëveshja duhet të zgjidhë edhe çështjen e Kosovës në fund sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjerën të bëhen pjesë e BE-së. Të dyja palët duhet t’i qasen njëra tjetrës”, pati thënë Scholz.