Rindërtimi në Shqipëri përballet me mungesën e fuqisë punëtore

I sapo kthyer nga Brukseli kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama lajmëroi se nga të huajt nuk do marrim vetëm thesin e parave për rindërtim, por edhe krahun e punës, i cili i mungon Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë pas konferencës së donatorëve u shfaq në Durrës, në një pallat në rikonstruktim, ku u has me ankesën për mungesë punëtorësh.
“Ky është problemi kryesor se keni vetëm ju por e gjithë Shqipëria. Duam punë, duam punë, por kur vjen puna për punë mirë që duan punë shteti por edhe kur u thua hajde kualifikohuni jo të gjithë janë. Megjithatë ne kemi kaluar ligjin për të lehtësuar sjelljen e punëtorëve nga jashtë. Sado absurde që duket po ky është fakt. Këtu tek ne që ankohen gjithë për punë nga kulltuku në kafene”, shprehet Rama.

Krahas punëtorëve të huaj të cilët do vijnë nga jashtë, kryeministri shqiptar kërkoi edhe angazhimin e punonjësve të ndërmarrje të Bashkisë, për të cilët kërkoi dy punësim.

Në Durrës vijon faza e parë e rindërtimit, ku brenda muajit mars pritet te restaurohen 1859 apartamente.