Dhjetëra bujq nga rajoni i Pollogut mëngjesin e sotëm protestuan pasi nuk kanë ujë për vaditjen e tokave, transmeton Portalb.mk.
Bujqit thonë se kanali për vaditje ka ujë, megjithatë si rezultat i punimeve që po realizohen në autostradë, në pjesën Tetovë-Gostivar pengohet që uji të mund të shpërndahet në fushat e tyre.
Bujqit për disa orë bllokuan me traktorë punimet që zhvillohen për ndërtimin e autostradës së re.
“Drejtorinë e Ujërave të Tetovës e kemi informuar, i kam treguar që shtatë vrima duhet të hapen. Se di çka bëjnë, s’janë në punë, ujë nuk kemi. Katër vija duhen me uji por se di, në kohë që janë në pushtet nuk i gjen dot e ne kemi hall”, tha një bujk.
“Ne duam ujë për vaditje. Kanë vendosur një pompë por ajo është vetëm për një bujk tërë ditën kurse ne vetëm sot duhet të vadisim njëzet persona. Ne mund të rrimë gjithë verës në këtë vijë por zgjidhje nuk ka”, deklaroi një tjetër bujk.

“Më shumë se 500 hektarë tokë duhet ujit këtu me mirës, kjo për sot bisedohet. Unë ju thash ejani e hapim vetë, sepse mijëra euro kemi dhënë nga pranvera për tokat kanali është këtu ai shkon dhe e bën 200 metra më larg vetëm të na malltretojë në këtë të nxehtë”, tha një bujk.
Nga Drejtoria për Menaxhim me Ujërat kanë paralajmëruar se në bashkëpunim me kompaninë ndërtuese ‘Bechtel&Enka’ do të gjejnë zgjidhje ditëve në vijim.
Nëse nuk do të ketë zgjidhje, bujqit kanë paralajmëruar bllokada dhe protesta.



