Rei Manaj, rrugëtimi i vështirë i emigrantit shqiptar deri te ekipi i parë i Barcelonës

Është momenti i artë për Rei Manaj. Viti 2020 nisi me një lajm të madh për të, transferimin te Barcelona B, por sot, lushnjari që emigroi në Itali qysh i vogël, bashkë me familjen, mund të bëhet shqiptari i parë në histori, që vesh fanellën e ekipit të parë katalanas. Një rast unik, që e ëndërron cilido futbollist në glob. Një ngjarje kombëtare në Shqipëri, sikurse e përshkruan spanjollja “AS” në shkrimin e saj të sotëm për sulmuesin kuqezi:

“Rei Manaj e di se sa kushtojnë gjërat. Ndoshta, një nga gjërat që ka bërë më shumë tek Albacete ishte bërja së bashku e masazherëve, punëtorëve dhe pjesëtarëve të tjerë të klubit, larg nga stafi, për t’i ftuar herë pas here në darkë. Ai e ka njohur vështirësinë e jetës. I lindur më 1997 në Lushjne, Shqipëri, ai emigroi në Itali në moshën 11-vjeçare, me familjen e tij, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Shumë i lidhur me një nga gjyshërit e tij, që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës, Manaj ka jetuar me prindërit dhe motrën e tij në të njëjtën dhomë.

Pjesërisht, sulmuesi shqiptar e ka përmbushur ëndrrën e tij për të qenë futbollist dhe për ta nxjerrë familjen nga telashet financiare. Pasi hodhi hapat e të parë te Piacenza dhe La Cremonese, Interi trokiti në derën e tij. Lojërat e tij të para me zikaltrit ishin në qendër të vëmendjes, veçanërisht një gjysmëfinale e Kupës së Italisë kundër Juventusit. Me një “modus operandi” të zakonshëm në Itali, Manaj filloi huazimet, duke kaluar nga detyra në detyrë (Pescara, Pisa, Granada), deri në vitin 2018, kur përfundoi tek Albacete.

I pjekur në fushë, por fisnik dhe madje shumë i sinqertë, thonë ata që e njohin jashtë fushe, Manaj filloi të kishte përparësi. Alberto Jimmy Fontana, një ish-portier me kohë të gjatë në Itali, e futi në treg dhe mori një telefonatë nga Barcelona. Ramon Planes, i dyti në sekretarinë teknike të drejtuar nga Abidal, dhe José Mari Bakero, kreu i filialit, paralajmëruan se do të kishin nevojë për një sulmues në merkaton e dimrit. Manaj nënshkroi më 20 janar me Barcelonën B për 700.000 euro, megjithëse marrëveshja përfshin edhe disa variabla prej dy milionë eurosh për ndeshjet e luajtura, golat dhe promovimin e mundshëm me filialin e klubit katalanas. Kontrata nuk përfshinte ndonjë shtesë për debutimin me ekipin e parë, por Manaj e dinte që, duke qenë tek U-23, mund t’i vinte mundësia.

Ai luan si qendërsulmues, i aftë ta godasë topin me të dyja këmbët. Roli i tij është padiskutim “9”. Familja e tij jeton me pasion, disa orë para një debutimi të mundshëm me Barcelonën. Ai përfshin ndër të afërmit e tij edhe qenin, Budino, që ka qenë prej kohësh me të në këtë udhëtim dhe mund ta bëjë atë hero për një ditë. Rei Manaj mund të jetë shqiptari i parë, që luan për Barçën. Do të ishte një ngjarje kombëtare në Shqipëri…” /Telesport/

Loading...