Regjistrohen mbi 82 mijë persona jashtë vendit

Përmes aplikacionit onllajn për vetëregjistrim deri më tani nga jashtë janë evidentuar 82 106 persona, procesi vazhdon deri më 21 prill.

Përmes aplikacioni regjistrohen shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët qëndrojnë jashtë vendit, për shkak të punës apo shkaqeve tjera, deri dhe më gjatë se 12 muaj. Procesi i vetëregjistrimit filloi 1 mars, ndërsa do të zhvillohet deri më 21 prill 2021.

Prej 1 marsit deri më 15 mars u regjistruan edhe të punësuarit në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe anëtarët e familjeve të tyre të cilët qëndrojnë me ta jashtë vendit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj, përfaqësitë apo përfaqësues të odave ekonomike jashtë vendit, njësitë afariste jashtë vendit, përfaqësitë ushtarake të Armatës së RMV-së jashtë vendit dhe qytetarët që janë të angazhuar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, teknik apo tjetër, si dhe anëtarët e familjeve/amvisërive të tyre që qëndrojnë jashtë vendit me personat e cekur si dhe të gjithë personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në çfarëdo baze qëndrojnë jashtë shtetit, pa marrë parasysh periudhën e tyre të qëndrimit.

Regjistrimi i popullatës në vend do të zbatohet prej 1 deri më 21 prill 2021. Enti shtetëror për statistika publikoi edhe konkurs të tretë plotësues për angazhimin e personave të cilët do të marrin pjesë në zbatimin e Regjistrimit të popullatës, amvisërive dhe banesave në RMV, për të cilin kandidatët e interesuar duhet të paraqiten deri më 20 mars 2021