Refuzimi!

Shkruan: Medai Shaholli

 

Portat e mëdha të Brukselit për Ballkanin perëndimor dje sërish ngelën të mbyllura.
Me këtë refuzim tashmë të përsëritur një tjetër deriçkë po zëvendëzon portën e madhe të BE-së dhe ajo është Ballkani i Hapur, një projekt serb i shtrirjes dhe hegjemonisë serbe me gjeopolitikën dhe strategjinë e tyre mbi Ballkanin perëndimor.

Refuzimi i radhës nga ana e Brukselit zyrtar përbën thagmën e madhe të çudirave që mban peng Shqipërinë për shkak të një vetoje bullgare, nuk mund të kuptohet ndryshe veç si levë e Brukselit për të bllokuar zgjerimin e BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit në këtë asociacion të shteteve që vuajnë akoma nga mentaliteti i ndryshkur i shekullit XX.

Mbyllja e portave të BE-së për Shqipërinë dhe ‘Severnën’ në këtë situatë krijon amulli dhe pakënaqësi që do të shpinte ‘ujin shqiptar drejt mullirit serb’ për Ballkanin e Hapur, një projekt serb jashtë rekomandimeve të Brukselit.

Mesa duket kryeministri Rama mezi pret të hakmirret me këtë refuzim të radhës nga ana e Brukselit, ku përmes ‘Ballkanit të Hapur’ së bashku me vëllamin Aleks, kërkojnë t’i bëjnë karshillëk BE-së, si një formë e mini Shengenit që lë pas procesin e Berlinit por që afrohen gjithmonë e më shumë drejt putinizmit rus.

Ndaj dhe refuzimi i BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë duke e shtirë në një thes me ‘Severnën’ për problemet e saja me Bullgarinë, është qëndrim i qëllimshëm me ngjyra raciste dhe me paramendim ku shqiptarët shihe si të padëshirueshëm në klubin e madh të quajtur BE.