Reformim apo deformim i arsimit në RMV

Secila qeveri deri me sot, ka sinjalizuar reforma pafund, me së shumti në fushën e arsimit. Qeveria Gruevski madje brenda një viti mbi 5 herë e ndryshoi ligjin për arsim të lartë, sa institucionet dhe neve punonjësve arsimorë na çoi deri në alivanosje.

Arbër Çeliku
Në RMV, sa u përket reformave në arsim, ato kurrë nuk kanë qenë substanciale, vetëm se politike, për t’i shërbyer mbledhjes se votës. Për më tepër janë marrë modele arsimore copy-paste nga ndonjë vend i zhvilluar dhe, pa harruar procesin e gjatë zhvillimor dhe mbështetjen financiare te atij vendi ne vazhdimësi si shtyllën kryesore të shoqërisë, janë trumbetuar si risi dhe pikënisje për një arsim me këmbë te mbarë. Thjesht, ministrat arsimin e kanë projektuar si një piceri, jo si një proces të komplikuar shoqëror, suksesi i të cilit varet nga shumë faktorë:

1. Financimi, i cili është në nivel të mjeruar (0,004% është buxheti vjetor në arsim nga ana e qeverisë);

2. Mungesa e infrastrukturës elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimor;

3. Partizimi i vazhdueshëm i arsimit (drejtorët, punonjësit arsimorë, stafi administrativ-teknik po punësohen me aminin e partive në pushtet);

4. Libra skandalozë përplot me përmbajtje të falsifikuara, spekuluese dhe diskriminuese;

5. Kurrikula të ngurrëta, statike, të strëngarkuara dhe që nuk përkojnë me ekonominë e tregut;

6. Dominimi i mësimit formal (kodimi i disa definicioneve përmendësh) dhe mosnxitja e të mësuarit përmbajtësor, prodhues;

7. Përzgjedhja e punonjësve arsimorë pa asnjë kriter, por me ndikime të grupeve, klaneve a partive të ndryshme;

Lista mund të zgjerohet pambarim, megjithatë nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Ajo që dua të them, është se reformimi statik, shabllonizues, për poena të politikës ditore, mund të çojë në një deformim të pariparueshëm të arsimit, pasojat e të cilit do t’i vuajë rinia dhe mbarë shoqëria.