Real Madridi, klubi më i vlevshëm në botë

Dy klubet e La Ligës, Reali e Barcelona, mbeten sërish në krye të renditjes së emrave më të vlefshëm në botën e futbollit, ndonëse pas tyre po rritet kërcënimi nga Anglia. Reali doli klubi më i vlefshëm  në rruzullin tokësor, pas raportit të vitit 2020 nga agjencia e specializuar amerikane, “Brand Finance”. Vlera e madrilenëve ishte 1 miliardë e 572 milionë USD, duke ruajtur kryesimin e vitit të kaluar. Ky vlerësim bëhet në bazë të emrit të klubit, të pasurive të patundshme të tij, të gjendjes së borxheve, të vlerës së skuadrës dhe të suksesit sportiv. Në vend të dytë është Barcelona, që “peshon” 1 miliardë e 565 milionë dollarë.  Një ngjitje të fuqishme ka bërë Liverpuli. Kampionia e re e Anglisë po i afrohet Mançester Junajtidit, duke qenë në vendin e katërt, me vlerë prej 1 miliardë e 398 milionë dollarë.

Në tërësi, në 10 vendet e para dominon Premier Liga angleze me 6 klube, pasi aty janë edhe Mançester Siti, Çellsi, Totenhemi e Arsenali. Bajerni i Mynihut është klubi i vetëm gjerman në Top 10-she, në vendin e 6-të duke humbur dy pozicione, dhe me vlerën rreth 1.17 miliardë dollarë. Franca përfaqësohet vetëm nga PSZH në vendin e 7-të, me vlerë 1. 07 miliardë dollarë, ndërsa Seria A nuk ka asnjë ekip në dhjetë të parët, pasi Juventusi është i 11-ti.