Real Madridi ka gjëra më të mëdha për t’u shqetësuar këtë javë, por duket se afati kalimtar veror ka bërë që në zyret e klubit të ketë lëvizje të mëdha. Në mesin e atmosferës festive pas kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Real Madridi ka marrë telefonata për talentin turk Arda Guler. Sensacioni turk ka luajtur shumë pak minuta këtë sezon, dhe një vendim mbi të ardhmen e tij nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e klubit apo do të largohet në huazim për të vazhduar zhvillimin e tij, pritet të merret. Të enjten u zbulua se Sevilla ka nisur kontaktet e para me Real Madridin për të parë nëse Guler do të ishte në dispozicion në një marrëveshje huazimi gjatë verës. Sidoqoftë, është raportuar se Sevillës i është komunikuar dëshira që Guler të luajë në një klub i cili merr pjesë në Ligën e Kampionëve në rast largimi nga kryeqyteti. Tani, mediumi spanjoll Diario AS raporton se Real Betisi është bërë ekipi i radhës që ka pyetur për shërbimet e Gulerit. Betisi mund të ketë një avnatazh për të siguruar një marrëveshje të mundshme për 19-vjeçarin në rast se kualifikohen në garat evropiane sezonin e ardhshëm, pasi duket që futbolli evropian do të jetë një parakusht për ekipet që e duan atë./

Një raportim i ri ka pretenduar se Pep Guardiola mund të largohet nga Manchester City, teksa një emër befasues është duke u konsideruar për ta zëvendësuar atë.

53-vjeçari ka shijuar një periudhë tejet të suksesshme nën udhëheqjen e Manchester Cityt, që prej se iu bashkua atyre në vitin 2016.

Guardiola mori ‘frenat’ e klubit nga Manuel Pellegrini, dhe që nga ajo kohë ai ka fituar pesë herë titullin e Ligës Premier, një herë Ligën e Kampionëve, si dhe dy herë Kupën FA.

Ai ka momentalisht kontratë me Cityn deri në përfundim të sezonit 2024/2025, pasi kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare në 2023.

Por, ka dyshime nëse ai do ta zgjasë më tutje bashkëpunimin me ‘Qytetarët’ për shkak se ata janë në pritje të rezultatit për hetimet lidhur mbi 115 thyerjet e dyshuara të rregullave të fair-play financiar.

Gazetari spanjoll Jorge Picon pretendon se City tashmë po synon ta planifikojë të ardhmen pa Guardiolën. Ai shtoi se City janë duke konsideruar mundësinë e emërimit të trajnerit të Gironës, Michel, për të zëvendësuar Guardiolën në rast largimi në 2025.

“Pesimizmi po rritet rreth vazhdimit të trajnerit përtej vitit 2025, kur skadon kontrata e tij, dhe në mesin e kandidatëve për ta zëvendësuar atë, një trajner ‘nga shtëpia’: Michel”, ka thënë Picon.

Michel po shijon një sezon fantastik me Gironën, klub i cili është në pronësi të City Football Group. Girona është momentalisht në pozitën e tretë në La Liga dhe deri në fund do të synojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.