Raufi në Supreme: Andi Krasniqi dhe Demë Shehu s’janë organizatorë të “Lagjes së Trimave” – rasti u kurdis nga shteti (Video)

Avokati Naser Raufi që mbron dy të dënuarit në rastin “Lagja e Trimave”, Andi Krasniqi dhe Demë Shehu, gjatë seancës së sotme në Gjykatën Supreme, ka thënë se klientët e tij nuk kanë asnjë lidhje me organizimin e ngjarjeve të 9 dhe 10 qershorit të vitit 2015, shkruan gazeta LAJM. Avokati Raufi tha se, këto ngjarje ishin skenarë i policisë sekrete të, siç e quan ai, regjimit të asaj kohe në Maqedoni.

“Poenta ime përse unë e përmenda z. Ali Ahmeti ishte që të dëshmojë se klientët e mi të dënuar me burg të përjetshëm, Andi Krasniqi dhe Demë Shehu nuk janë organizatorë të këtyre ngjarjeve. Unë udhëzova edhe në bisedën që ishte publike, që doli më duket se në Alsat, intervistë jepte vetë Ali Ahmeti, i cili tha se ka biseduar dhe në përputhshmëri me atë bisedë të na mundësohej që të ishte pjesë e dëshmive do të vërtetohej se klientët e mi Demë Shehu dhe Andi Krasniqi, nuk kanë qenë organizatorët e ngjarjeve. Unë vlerësoj se këto dy dënime me burg të përjetshëm janë të pabazë sepse dihet se kush ka komaduar me aksionin. Dhe nëse do të lejohej kjo bisedë do të dëshmohej se asnjë rol komandues nuk kanë pasur dy klientët e mi. Qëllimi është që të dëshmojnë se kjo agjenci është e përfshirë në këtë ngjarje, si dhe gjithë DSK-ja e asaj kohe dhe gjithë regjimi ishin të përfshirë që kërkoni të defokusonin opinionin nga protestat e asaj kohe”, tha Raufi./Gazeta LAJM

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut nisi të mërkurën seancën publike lidhur me ankesën e palës mbrojtëse ndaj gjykimit të 33 personave për rastin e Kumanovës.

Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në Kumanovë kishte ndodhur një përleshje e armatosur mes forcave maqedonase të sigurimit dhe një grupi që prezantohej si ish-Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Gjatë luftimeve që zgjatën dy ditë, ishin vrarë tetë pjesëtarë të policisë dhe dhjetë anëtarë të grupit të armatosur, që ishte pozicionuar në Lagjen e Trimave në këtë qytet, për t’u tërhequr autoriteteve vëmendjen për, siç është thënë, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

Për veprën penale “terrorizëm”, Gjykata Penale e Shkupit, më 2 nëntor të vitit 2017, shtatë persona të grupit i dënoi me burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20, një me 18, dy me nga 14, dy të tjerë me nga 13 dhe dy me nga 12 vjet burg.

Shumica e grupit të gjykuar janë shtetas të Kosovës.

Në korrik të vitit 2019, vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit.

Video nga arkivi i REL-it:

Pala mbrojtëse tani kërkon përsëritjen e gjykimit, për shkak të, siç thotë, shkeljes së procedurës së gjykimit dhe mosrespektimit të kërkesës për paraqitjen e më shumë dëshmitarëve, përfshirë drejtuesit e lartë të policisë sekrete, të cilët, sipas palës mbrojtëse, kanë inskenuar gjithë rastin.

Pala mbrojtëse ka kërkuar edhe hetim ndërkombëtar të rastit, pasi pretendon se gjykimi i grupit të armatosur është i motivuar politikisht dhe me prapavijë etnike.

Në vitin 2019, pas zgjedhjes president i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka premtuar një rishqyrtim të ngjarjeve të Kumanovës.

Në këtë kuadër, Agjencia e Inteligjencës Shtetërore ka bërë të ditur se posedon informata se pas incidentit, mund të ketë pasur motive politike dhe financiare, por detaje të tjera nuk janë dhënë, për të mos dëmtuar, siç është thënë, procesin e hetimeve.