Kurtit i kërkohet ta zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që deputetët të miratojnë një rezolutë, e cila do ta ndihmonte qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti që ta zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit të arritur më 4 shtator.

Kështu deklaroi para deputetëve, ish-kryeministri, njëherësh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti gjatë debatit parlamentar të thirrur për Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Këtë marrëveshje duhet parë si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Marrëveshjet e tilla siç na tregon historia, por edhe përvoja jonë në ndërtimin e shtetit krijojnë realitet të reja gjeopolitike. Në ato realitete të reja vendimmarrja për synimet e tona në konsolidimin e shtetit të Kosovës bëhet e natyrshme dhe gjen mbështetje nga bota perëndimore. Ata që nuk e kuptojnë këtë filozofi të veprimit politik nuk e kuptojnë edhe qëllimin e kësaj marrëveshje”, tha Hoti, i cili e kishte nënshkruar marrëveshjen.

Marrëveshja e Uashingtonit parasheh një sërë projektesh infrastrukturore, por në të përfshihet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe Serbisë.
Kurti: Efekti i marrëveshjes, hapja e portës për Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se efekti i parë i Marrëveshjes së Uashingtonit, ishte në të mirë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Efekti i menjëhershëm nuk kishte qenë ajo që ndodhi pas nënshkrimit, ajo që i parapriu nënshkrimit, e kjo është hapja e portës së Shtëpisë së Bardhë për presidentin e Serbisë”, tha Kurti.

Duke folur për pjesën e Liqenit të Ujmanit, që parashihet në marrëveshje, Kurti tha se ky liqe është i Kosovës.

“Liqeni i Ujmanit, liqe artificial nga Kosova, i Kosovës. ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarëdo pretendimi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se qeveria që ai udhëheqë i merr shumë seriozisht raportet me SHBA-në dhe vazhdon të punojë që këto raporte të thellohen.

Megjithatë, ai kritikoi partitë opozitare, duke thënë se ato po e “mbrojnë SHBA-në” nga Kurti.

“Mos harroni që me këso mbrojtje që ju pretendoni që t’ia bëni SHBA-së prej meje, meqë nuk mund të bëheni tragjik, bëheni qesharak. Duhet ta pushoni ta bëni këtë gjë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti u shpreh po ashtu kritikë ndaj pikës së marrëveshjes, ku thuhet se për një vit, Kosova nuk duhet të kërkojë që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Sipas Kurtit, kjo përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Gjatë debatit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari tha se ky debat më shumë u thirr që deputeti Hoti të shpalosë punën që ka bërë për këtë marrëveshje, në kohën sa ishte kryeministër.

Ajo tha se ka tendencë që në opinion të paraqiten kriza ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.

“Asgjë nuk mund të vë në dyshim dhe të krijojë kriza të paqena mes dy vendeve”, tha Kusari-Lila.

Ajo foli edhe për pyetjen e parashtruar në thirrjen e këtij debati, ku kërkohet nga qeveria të tregojë nëse plani i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit mund ta cenojë sovranitetin e Kosovës.

“Asnjë plan fizibiliteti nuk mund ta cenojë sovranitetin e Kosovës”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se sovraniteti mund të cenohet nga një qeveri e papërgjegjshme dhe jokushtetuese.
Foto nga Zyra Ovale, ku në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, liderët e Kosovës dhe Serbisë arritën marrëveshje për normalizim ekonomik.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kërkoi që qeveria, në mënyrë të detajuar të tregojë qëndrimin e saj për secilën pikë të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Ai tha se nga Qeveria Kurti po “shohim shumë paqartësi edhe në politikën e jashtme”, duke shtuar se Marrëveshja e Uashingtonit nuk duhet të shihet e shkëputur nga procesi i dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri tha se Marrëveshja e Uashingtonit ka riafirmuar lidhjen dhe miqësinë mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Kjo marrëveshje po ashtu i ka shërbyer ndaljes së aventurave në organizatat ndërkombëtare. Sa herë që nuk kemi pasur mbështetjen e SHBA-së, kemi dështuar të anëtarësohemi”, tha ai.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja ishte nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Cilat pika të marrëveshjes janë zbatuar deri më tani?

Në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit ishte edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës. Më 1 shkurt, përmes një ceremonie virtuale, Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike. Ndërsa, më 14 mars, Kosova përmbushi obligimin nga Marrëveshja e Uashingtonit, duke hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

Në kuadër të marrëveshjes ishte paraparë që të bëhej edhe një studim i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Më 23 qershor, SHBA-ja ia dorëzoi Kosovës dhe Serbisë këtë studim të kryer nga Departamenti amerikan i Energjisë, ku rekomandohet që ky liqen të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia.
Liqeni i Ujmanit.

“Traktati ka lehtësuar përfitime shtesë si ujitja, përdorimi i ujit për nevoja lokale, përdorimi industrial, lundrimi dhe rekreacioni”, thuhet në ueb faqen e DASH-it, duke iu referuar traktatit të arritur më 1931 midis Kanadasë dhe SHBA-së.

Marrëveshja e Uashingtonit parashihte që brenda një viti, Kosova të mos lobonte për njohje të reja e as të aplikonte për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës. Prishtina zyrtare është ankuar që Beogradi nuk e ka ndalur fushatën e saj kundër Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, u parapa që Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) të punojë për të operacionalizuar pikat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore dhe projekte të tjera ekonomike. DFC-ja, në fund të shtatorit, hapi zyrën e saj në Beograd.
Çfarë nuk është zbatuar?

Sipas marrëveshjes, do të duhej që edhe Serbia të zhvendoste ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem dhe për një gjë të tillë ka pasur afat deri më 1 korrik. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se interesat e Serbisë ndryshuan pasi Izraeli e njohu Kosovën dhe se shteti i tij do të veprojë në përputhje me interesat e tij, sa i përket zhvendosjes së ambasadës në Jerusalem.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lexoni edhe këtë:
Vuçiq për ambasadën në Izrael: Interesat e Serbisë kanë ndryshuar

Në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit janë paraparë një sërë projektesh infrastrukturore që ende nuk janë realizuar, siç është autostrada Beograd-Prishtinë, apo siç quhet ndryshe Autostrada e Paqes. Për këtë autostradë, autoritetet në Kosovë, kanë thënë se do të ndërtohet gjatë vitit 2021.

Marrëveshja po ashtu parasheh një studim fizibiliteti për mundësitë e lidhjes hekurudhore Beograd-Prishtë me një port në det të thellë në Adriatik, që ende nuk është realizuar. Po ashtu, për lidhjet ajrore mes dy shteteve, ende nuk ka pasur realizim të kësaj pike të marrëveshjes.