Raufi: Dhuna ndaj “Grupit të Kumanovës” vazhdon nga viti 2015 (Video)

Për bastisjen e qelive të pjestarëve të “Grupit të Kumanovës” në burgun e Idrizovës, avokati Naser Raufi, thotë se është informuar prej portaleve. Në një prononcim për gazetën LAJM, ai tha se mënjeherë pas këtij lajmi ka bërë përpjekje për të kontaktuar me pjestarët e grupit, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur paraditën e së martës.

“Për këtë bastisje unë kam kuptuar nga ana e portaleve. E di që ka pas njëfarë bastisje. E di që nuk është hera e parë që bastisen të dënuarit e “Grupit të Kumanovës” dhe jam i sigurtë që edhe kësaj radhe kjo bastisje ka qenë në një mënyrë brutale siç kanë qenë edhe bastisjet më parë. Gjendja e tyre ka qenë gjithmonë e keqe dhe sjellja e gardianëve ka qenë edhe një problem në vete. Disa herë e kam paraqitur këtë problem të Avokati i Popullit, rastin e Demë Shehut të cilit përpiqemi ta dërgojmë te stomatologu prej 20 ditësh dhe nuk na lejohet. Gjykata arsyetohen kinse nuk kanë asistencë dhe e zvarrisin qëllimisht vizitën te stomatologu. Pra, për të dënuarit në rastin “Lagjja e Trimave”, malltretime dhe dhuna vazhdojnë nga viti 2015”, tha avokati Naser Raufi për gazetën LAJM.

Forcat të shumta të policisë kanë bastisur mëngjesin e së martës rreht orës 05:00 qelitë e të dënuarve në rastin “Lagjja e Trimave”, në burgun e Idrizovës me ç’rast janë gjetur celularë dhe mjete tjera të palejueshme. Nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve për Agjencinë e Lajmeve MIA kanë thënë se me urdhër të gjykatës dhe me asistencë të policisë, në mëngjes në Burgun e Idrizovës është kryer bastisje në disa qeli, ku janë zbuluar dhe janë marrë disa gjësende që janë dërguar për ekspertizë.