“Rastoder”, marka e bananeve në të cilat ishte paketuar kokaina thotë se është keqpërdorur nga karteli kriminel

Pas publikimit për sekuestrimin e një kilogrami kokainë në fshatin Krushopek të Shkupit, i fshehur në një dërgesë me banane nga marka “Derbi” u prononcua pronari i kësaj marke, kompania sllovene “Rastoder” e cila pohon se ka qenë “cak keqpërdorimi nga ana e një karteli kriminel”.

Mediat sllovene thonë se kokaina ka qenë e fshehur mes bananeve të importuara nga Amerika Jugore, caku kryesor i së cilës ka qenë Italia por është transituar përmes disa vendeve ballkanike. Agjencia STA potencon se dërgesa me banane nga Amerika Jugore me anije ka arritur në Mal të Zi, nga pastaj një pjesë janë dërguar në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se qëllimi i fundit i drogës së zbuluar në Krushopek ka qenë narko tregu i vendit.

Kompania “Rastoder” në reagimin e tij thekson se të arrestuarit nga ana e policisë së Maqedonisë lidhur me këtë rast, nuk kanë lidhje me të.

“Hetimi policorë nuk e targeton ‘Rastoder’”, thuhet në kumtesën e kompanisë sllovene, ku shtohet se “organizatat ndërkombëtare kriminale dukshëm i kanë keqpërdorur rrutat tregtare nga Amerika e Jugut për aktivitetet e tyre kundërligjore”.

Kompania vlerëson se edhe ajo ka qenë gjithashtu një nga shumë firmat për tregti me fruta dhe perime që janë keqpërdorur nga kontrabandistit e lëndëve narkotike.

“Jemi të bindur se bëhet fjalë për keqpërdorim sistematik që periudhën e fundit janë gjithnjë e më të shpeshta dhe me të cilën ballafaqohen të gjitha korporatat, importuesit dhe sistemet logjistike ndërkombëtare. Madje edhe dërgesa problematike në Maqedoni i kaloi të gjitha kontrollet e sigurisë, të fundit në Bar në Mal të Zi”, thuhet në kumtesën e “Rastoder”.

Mediat sllovene theksojnë se shfrytëzimi i dërgesave me mallra nga Amerika Jugore drejtë Evropës për kontrabandë me drogë nuk është dukuri e pazakontë, duke potencuar se vetëm gjatë këtij vitit në aksione të ndara në Danimarkë, Kostarikës, Ekuador, Bullgari dhe tani në vend janë sekuestruar mbi dy tonë narkotikë.

Në aksionin e policisë së Maqedonisë në Krushopek, gjatë të cilës u sekuestrua kokaina, u arrestuan katër persona. Pas sekuestrimit policia hapi hetim për personin juridik në hapësirat e së cilës u zbulua droga, si dhe involvimin eventual të personave të tjerë fizik dhe juridik në këtë rast.