Kosovë-Shqipëri Ramush Haradinaj viziton vendin ku ra dëshmor vëllai i tij, Luani

Ramush Haradinaj viziton vendin ku ra dëshmor vëllai i tij, Luani

Kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, bashkë me djalin e vëllait të rënë në luftë – Shkëlzenit, ka vizituar sot vendin e quajtur Qafa e Mullarit, ku gjatë luftës ka rënë heroikisht vëllai tjetër i tij – Luani.

Haradinaj, përmes një video të publikuar në profilin e tij, ka njoftuar për vizitën në vendin e rënies së Luan Haradinajt, i cili ra në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

“Jemi në Qafë Mullar. Është vendi ku është vra Luani. Sot është dita është e ramjes së Ilaz Kodra. Nderime për Ilazin, Luanin, Fehminë, Xhevën, e gjithë që kanë ra për liri, nderime”, thotë Haradinaj në videon e regjistruar, transmeton Telegrafi.

Më 6 maj 1997 Luan Haradinaj, bashkë me vëllanë Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën nga Shqipëria për në Kosovë.

Bashkërisht kishin arritur sipër fshatit Larë, i cili ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi ra në një pritë të ushtrisë jugosllave.

E në këtë pritë u vra Luan Haradinaj, u plagos Rafet Rama, Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit të vendit, trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në vendlindje, në Gllogjan, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.