Ramiz Lladrovci uron Ali Ahmetin për titullin Honoris Causa: Sot jam shumë i lumtur!

Vëlla Ali,

Sot, jam shumë i lumtur dhe krenar që titulli Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, të jepet Ty, për merita të veçanta dhe kontributin e jashtëzakonshëm atdhetar. Universiteti i Tetovës është një nga veprat më të çmuara, krahas lirisë së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ky titull për Ty, na jep të gjithëve krenarinë për jetën tuaj të gërshetuar me heronjtë dhe heroinat e kombit, si dëshmitar i gjallë nga shkëndijat e para të lirisë e deri te realizimi i saj, në Republikën e Kosovës dhe Maqedoninë e Veriut.

Andaj, ndjehem i bekuar që jam këtu, të jem dëshmitar i vlerësimit të personalitetit Tuaj të jashtëzakonshëm, nga personalitetet akademike të Universitetit të Tetovës dhe Komisionit recensues

Në këtë ditë tejet të lumtur për mua, po e citoj motivimin e Universitetit të Tetovës:

-Për kontributin e shquar për çështjen kombëtare;
-Për lirinë e popullit të Kosovës;
-Për avancimin e të drejtave kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut;
-Për angazhimin e vazhdueshëm në integrimin e vendit dhe rajonit në familjen euroatlantike;
-Për institucionalizimin dhe modernizimin e Universitetit të Tetovës, si institucion publik i arsimit të lartë.

Vëlla Ali,

Të gjithë ata që punuan, bashkëvepruan e luftuan së bashku me ty për idealet më të pastra e më të çmuara kombëtare ndër dekada, sot janë krenar për këtë titull sa të çmuar aq edhe domethënës, në rend të parë për rininë tonë dhe për tërë kombin.

Përgëzime Universitet i Tetovës!
Urime vëlla Ali!