Bullgaria nuk lëshon pe, shuhen shpresat për çeljen e negociatave

Bashkimi Evropian nuk arriti ta miratojë as kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut e as konkluzionet për zgjerim. Sllovakia, Çekia dhe Austria bllokuan propozim-konkluzionet e zgjerimit, me arsyetimin se “janë bërë lëshime të tepërta ndaj Bullgarisë”. Tre shtetet anëtare vlerësojnë se përfshirja e kontekstit historik në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian krijon një precedent të ri dhe komplikon zgjerimin e mëtejshëm të Unionit. Andaj sipas tyre, duhet më shumë kohë për t’i harmonizuar konkluzionet në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme. Në propozim-konkluzionet të cilat gjithsesi kaluan mbrëmë në Këshillin e ambasadorëve, ishin inkorporuar kërkesat bullgare.

Patjetër t’i jepni fund deklaratave dhe veprimeve që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore. Këshilli i BE-së rikujton Marrëveshjen e Prespës mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe thekson rëndësinë e zbatimit të tyre. Këto dy hapa në mënyrë efikase duhet t’i japin fund të gjitha pretendimeve, bazuar në interpretim të gabuar të historisë – thuhet në Propozim-konkluzionin për zgjerim.

Qeveria shprehu zhgënjimin e qytetarëve ndaj BE-së, e cila shkaku i vetos bullgare nuk arriti ta zhbllokonte fillimin e negociatave për anëtarësim me vendin. Përmes një komunikate, ekzekutivi kritikoi Unionin se ka bërë gabim gjeostrategjik, i cili do të ketë pasoja.

Ne reflektuam, por BE-ja nuk i mbajti premtimet dhe në këtë moment nuk po e marrim përgjigjen që meritojmë. Bullgaria dhe BE-ja e përsëritën gabimin ndaj Maqedonisë së Veriut. Gabimi historik i vitit 2019, tani është gabim i madh gjeostrategjik i BE-së. Ky gabim është motivim për depërtim edhe më serioz të interesave të palëve të treta në zemër të Evropës – njoftojnë nga Qeveria.

Qeveria e prerë se as pas këtij bllokimi, me Sofjen nuk do të bisedojë për çështjet e identitetit, ndonëse do të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes dypalëshe dhe reformat e brendshme. Ndërkohë kancelarja gjermane, Merkel optimiste.

Edhe një herë bisedova me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov dhe shpresoj që këto çështje të tejkalohen në të ardhmen e afërt – deklaroi Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Ndryshe, Sofja ka tre kushte që ta tërheq veton ndaj Shkupit: respektimi i formulimit të gjuhës sipas Marrëveshjes së 2017-tës, udhërrëfyes preciz për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari./ALSAT