Rama për raportet e shteteve ballkanike: Të harrohen rrëmujat e së kaluarës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Konferencën e 18-të të nismës Adriatiko-Joniane, ka folur për raportet që duhet t’i kenë shtetet e Ballkanit mes vete, duke thënë se duhet të harrohen, sipas tij, rrëmujat e së kaluarës.

“Fqinjët nuk i zgjedh. Gjyshja ime më tha ‘komshiu i lumtur ,shtëpi e lumtur’. E kundërta është thjesht një makth. Serbia nuk do të shkojë kurrkund, ashtu si dhe kroatët, malazezët. Të gjithë ne do të jemi këtu. Na duhet ta zgjidhim dhe të rritemi dhe të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin”.

“Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë. Sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje. Rruga është ende e gjatë për ne. Por sot jemi një vend më i mirë, krahasuar me ku ishim”, u shpreh Rama, njofton Klankosova.tv.

Rama, luftën në Ukrainë e quajti mësim të jashtëzakonshëm, teksa tha se duhet që shtetet të ecin në rrugën e paqes, për të shmangur, sipas tij, rënien në kurthet e së shkuarës.

“Mësimi i kësaj lufte është i çmuar për të gjithë ne. Është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë historinë tonë. Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ta bëjmë këtë bashkëpunim në vlerë të shtuar. Nuk ka aspak dyshim se individualisht jemi më mirë sot seç ishim më parë, por së bashku ende po humbasim shumë nga potenciali ynë për ta bërë jetën shumë më të mirë”, u shpreh ai.