Rama duhej të kërkojë dëmshpërblim nga Greqia për Çamët

Në vitet ’90 ishte gazetar i Ta Neas, në Greqi, më pas ka kaluar nëpër përvoja të të shkruarit në Evropë, tani është profesor në Universitetin në DePaul University, Amerikë, Gazmend Kapllani shkrimtar jep mendimin e tij, për “standard”, për ngjarjet më të fundit në marrëdhëniet politike, mes Greqisë dhe Shqipërisë, çfarë po ndodh me marrëveshjen e detit, dhe debatit të fundit për ta çuar këtë çështje në Hagë, si dhe temën tabu, atë të çamëve, ku edhe paralajmëron…

Keni jetuar në Greqi, dhe aktiv në çështjet politike në të përditshmen Ta Nea, dhe tani, i zhvendosur në Amerikë, ju jeni nga intelektualët e angazhuar në opinionet politike, sigurisht, edhe për çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Do donim prej jush një mendim se si e shikoni marrëveshjen që qeveria shqiptare ka bërë me Greqinë për detin?

Unë nuk e di fare se, çfarë marrëveshje ka bërë qeveria me Greqinë për detin. Në fakt qeveria e PD-se kishte bërë një marrëveshje amatoreske për detin ku ish Min. e Jashtme Greke ia shiti qeverisë shqiptare sapunin për djath. Nuk e di nëse qeveria Shqiptare e atëhershme bëri sikur nuk e kuptoi këtë gjë. Sido që të jetë është shqetësuese.

Me lejoni t’ju them që unë nuk jam specialist që mund të flas me kompetencë për marrëveshje që kanë të bëjnë me detin. Flas më shumë si një njeri që ka studiuar dhe studion këto dy fqinj të çuditshëm, Shqipërinë dhe Greqinë të lidhura mes tyre me kompleksin e njohur ballkanas të simpatisë dhe mosbesimit. Por meqë po flasim për detin ka një lloj dizekuilibri: Grekët ndjehen në elementin e tyre. Gjërat për të cilat ata mund te mburren kanë lidhje me detin, turizmi, flota detare, tani ndoshta pasuri natyrale. Ne, Shqiptarët që nga pushtimi Otoman dhe andej u bëmë pak të huaj me detin.

Pastaj erdhi komunizmi që e pa detin si armik, duke pritur bajloza te zinj, duke ndërtuar bunkerë, duke vënë kufij, si kudo. Pra ne po mendojmë për detin sërish seriozisht këto pak vitet e fundit. Grekët kanë dekada që mendojnë. Janë shumë më të përgatitur se ne me pak fjalë. Edhe pse janë Ballkanas dhe kaotike si ne, dinë çfarë duan. Problemi i politikës sonë të jashtme është që ne, nuk dime çfarë duam, as në det as në tokë. Politika jone e jashtme është si ajo shfaqja e Pirandelos “Sonte po improvizojmë”. Vjen një qeveri improvizon duke patur si prioritet absolut interesat e ngushta politike, jo interesat e vendit. Kjo gjë ndodh edhe tani ma merr mendja.

-A është vajtja në Hage e çështjes së ujrave si zgjidhja më e mirë? Si e gjykoni refuzimin që Rama i bëri Hages para 7 viteve, dhe e pranon sot?

Imagjino dy njerëz që hedhin njeri tjetrin në gjyq, se nuk zgjidhin dot mosmarrëveshjet. Çfarë do thoshit ju, që këta kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin? Eshtë një hap prapa jo para në marrëdhëniet Greko-Shqiptare. I vetmi vend me të cilin Greqia kërkon të shkojë në Hagë është “armiku” i saj i përjetshëm, Turqia. Por, meqë jemi në Ballkan pamë spektaklin me Kryeministrin tonë dhe Ministrin e Jashtëm Grek ta paraqesin diçka të tillë si arritje të madhe, si tregues të dashurise mes dy vendeve tona fqinje. Çfarë teatri absurd!

Nga ana tjeter nuk është vetëm fakti që KM ynë merr këtë vendim pa u konsultuar me askënd, – sepse klasa jonë politike duket si ato bandat e lagjes që i gjuajnë njëri tjetrit me gura – por Shqiptarët nuk dinë pse po shkojnë në Hagë. Cila është mosmarrëveshja?

Nga ana tjetër kam përshtypjen se shkuarjen në Hagë e kërkoi pala greke – për ta përdorur si një precedent për konfliktin e saj me Turqinë. Duhet kuptuar se politika e jashtme greke, pothuajse në gjithçka që bën, e ka vështrimin të kthyer nga Turqia. Kjo është psikoza e politikës së jashtme Greke.

Duke ditur këtë, në rast se do jepte pëlqimin të shkonte në Hagë, KM ynë duhet të kërkonte disa kushte paraprake. Heqjen edhe formalisht të Ligjit të Luftës; ngritjen e një komisioni që do shqyrtonte problemin e pronave të Shqiptarëve të konfiskuara që nga viti 1940 në Greqi; heqjen nga ana Greke e “listës së zezë” për qytetarët Shqiptare me përkatësi Çame; ngritjen e një komisioni pajtimi dhe dëmshperblimi për pronat e tyre.

Pasi të bëheshin të gjitha këto mund të shkohej në Hagë. Por kam përshtypjen që KM yne e ka nevoje kaq shume hapjen e negociatave me BE-ne per te mbijetuar politikisht saqe s’kishte kohë për biseda më të gjata. Kështu që i ra shkurt dhe vajti në Hagë.

-Pikërisht ajo që thoni, si mund të shkohet në gjykatën e Hagës me një vend që ka ende në fuqi ligjin e luftës?!

Pardje pashë një interviste brilante të Erald Kaprit për këtë çështje. Thoshte kujdes mos bini viktima të kësaj psikoze me Ligjin e Luftës: ai eshte vetëm një segment formal. Ka çështje shumë më të rëndësishme që duhen diskutuar. Njerëz të brumit të Erald Kaprit ka nevojë politika jonë e jashtme, jo klouna cirku.

Nejse unë me sa njoh, shoh që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë shumë të pabarabarta dhe të pasinqerta. Pala Shqiptare ka 30 vjet që pranon pothuajse gjithçka që vihet si kusht nga ana greke me preteksin e BE-se. Shpejt a vonë kjo gje mund të shkaktojë një valë nacionalizmi të verbër në Shqipëri (në Greqi janë bazuar ngaherë tek nacionalizmi, asgjë nuk ka ndryshuar) sepse është krijuar tashmë tek Shqiptarët, dhe me të drejtë në fakt, një ndjenjë “kolonizimi” nga Greqia dhe Grekizmi (dhe jo helenizmi siç thonë në Shqipëri gazetarë injorante se helenizmi ishte një ide e lashtësisë dhe nuk ka asgje të përbashkët me këtë karakatinen moderne Ballkanike). Një valë nacionalizmi e verber asgjë pozitive nuk sjell për një shoqeri të brishtë si ajo Shqiptare. Ne kemi nevojë për politikanë patriotë, të ndershëm, dhe largpamës jo për naconaliste që fshehin hajninë e tyre pas flamurit. Pabarazia pra në marrëdhënie duket sheshit dhe bën mu në çdo aspekt. Fatkeqësisht, ne, nuk kemi politikë të jashtme që të ndjekë me këmbëngulje dhe vazhdimësi disa qëllime strategjike. Ne kemi politikë të jashtme ku një qeveri për interesa të ngushta ja lë “dobiçin” në derë qeverisë tjetër. Qeveria e PD-se i la “dobiçin” e marrëveshjes me Greqinë për detin qeverisë së PS-së. Qeveria e PS-së me sa duket do i lërë “dobiçin” e Hagës qeverisë së PD-se. Dhe kështu me radhë…

– Një tjetër çështje që mbahet peng nga politika është ajo çame, poshtërimi që iu bëhet atyre apo, që lidhen me çeshtjen thelbesore siç janë pronat. Si mund të ndërtohen marrëdhënie të mira kur kjo problematikë është kaq e paprekshme? Çfarë nuk shkon me politikën tonë, edhe pse ka nisur të ketë një debat?

Kjo ështe një çështje shumë e vështirë, ngaqë është një çeshtje tabu në Greqi. Por ka nisur të ketë një debat të brendshëm në politikën Greke për këtë. Qeveria Shqiptare mund të bënte më shumë për ndërkombetarizmin e kësaj çështje. Duhet t’i flas sinqerisht palës greke dhe t’i thotë: “Dëgjoni, ne duam marrëdhëniet më të mira me ju por duhet ta zgjidhim këtë çështje”. Përsëri vij tek pabarazia e marrëdhënieve. Ne vumë në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse një nacionalist grek që ka shkatërruar të gjithë trashëgimnine e Fan Nolit, themeluesit të saj. Pastaj ramë dakort të ndërtohen varreza madhështore të një ushtrie qe ishte në fakt ushtri pushtuese dhe si e tillë hyri në territorin tonë në luftën me Italinë. Ato varreza i shërbejne vetëm simbolikës së irredentizmit, janë mbeturinat e Idesë së Madhe. Janë një ofendim dhe për viktimat dhe për të afërmit e tyre. Në vend që të flinin në paqe pranë të afërmëve të tyre në Greqi rrinë në një vetmi makabre në Shqipëri dhe janë bëre Meka e ekstremit të djathtë greke, pa kontribuar aspak në afrimin mes dy vendeve. Këto janë skandale të vërteta politike. Pala greke i kërkon që të kënaqë psikozën e saj të nacionalizmit supremacist, pala shqiptare i pranon se ka politikanë të korruptuar që bëjnë pazare me vendin e tyre. Pra varreza të ushtarëve pushtues nga një anë në Shqipëri ndërsa Çamëve nuk dihet se ku kanë varret në Greqi.

Unë jam nga ata që meqë kam jetuar në të dyja vendet dhe i njoh mirë do doja t’i shihja të kishin marrëdhëniet më të mira. Por nuk ndërtohen marrëdhënie të fqinjësise së mirë me pabarazi dhe marrëzira si varrezat apo përpjekjen e Anastasit ta kthejë Kishën Shqiptare në Kishë Greke-folëse. Këto përgatisin premisat e një shpërthimi dhe do sjellin në siperfaqe elementët më të këqinj dhe të korruptuar nga të dyja anet.

-Siç e thamë më lart, ju keni qenë gazetar në Greqi keni përvojen tuaj nga andej, por pyetja jonë lidhet me vështrimin tuaj mbi politikën e jashtme të qeverisë shqiptare, si e shikoni?

Siç e thashë Shqipëria nuk ka strategji afatgjatë në politikën e saj të jashtme. Ne luajmë komedinë e Pirandelos “Sonte po improvizojmë”. Por komeditë në politikë kthehen në tragjedi, shpejt a vonë. Ajo që unë shoh në Shqipëri është se ekziston një kompleks inferioriteti i çuditshëm tek politikanët tanë ndaj Greqisë dhe politikanëve grekë. Nuk e di nga vjen ai lloj kompleksi inferioriteti. Duhen hapur qitapet e psikiatrisë për ta kuptuar…