Rama: Do t’i shtoj edhe 3-4 drejtori

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar se si ai po e sheh kryeqytetin prej se është bërë prijës i tij.

Rama tha se tash Prishtina po i duket më ndryshe sepse, sipas tij, kryeqytetin nuk po e sheh më si jetim.

“Tash po e shoh me sy ndryshe Prishtinën, për arsye se nuk e shoh më si jetim Prishtinën. Tash e ka dikë që ja ndjen për të, t’i ndihmojë qytetit dhe qytetarëve të Prishtinës”, tha ai.

Më tej, Rama tha se Prishtinën po e do më shumë sepse, sipas tij, tash është në mbrojtjen e tij.

“Duke u takuar shumë e më shumë me ekipet e komunës dhe me mundësitë që mundemi me i zhvillu për të mirën e Prishtinës vetëbesimin e kam edhe më të lartë se mundemi më bë ndryshime pozitive. Kështu që Prishtinën po e dua më shumë, sepse tash është nën mbrojtjen time dhe jemi çdo ditë duke bërë plane për ta bërë mirë e më mirë”, ka deklaruar i pari i kryeqytetit.

Gjithashtu, Rama ka bërë të ditur se do të shtohen edhe tri-katër drejtori të reja. Sipas tij, kjo do të bëhet në mënyrë që të kenë drejtori të përshtatshme për ta bërë transformimin e synuar të kryeqytetit.

“Deri tash i kemi 16 drejtori, ndoshta do të jenë edhe tri-katër drejtori më shumë në mënyrë që të kemi drejtori të përshtatshme që ta transformojmë Prishtinën në bazë të programit tonë”, ka deklaruar.

I pari i kryeqytetit tha se në aspektin funksional dyert e drejtorive duhet të jenë të hapura në mënyrë që të ketë mundësi takimi dhe bashkëpunimi sepse, sipas tij, komuna nuk duhet të punojë në drejtori veç e veç.

“Në aspektin funksional dyert e drejtorive duhet të jenë të hapura që këto zona të kenë mundësi të takimit dhe bashkëpunimit, sepse komuna nuk duhet të punojë në drejtori veç e veç, por duhet të ketë bashkëpunim nëpërmjet drejtorive të ndryshme për shkak se projektet e ndryshme janë të ndërlidhura”, tha ai.