Rama: Arsyet e refuzimit të Kosovës, Bosnjes e Malit të Zi ndaj Ballkanit të Hapur janë mosarsye

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë që arsyet pse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina janë skeptikë ndaj iniciativës së Ballkanit të Hapur janë sipas tij, të pakuptimta.

“Arsyet pse të tjerët janë skeptikë ose refuzues ndaj Ballkanit të Hapur i kam dëgjuar, dhe të Malit të Zi, Bosnjes edhe të Kosovës me shumë vëmendje por më vjen keq pasi po i konsideroj si arsye të mosarsyes”, ka thënë Rama.

Rama tutje ka thënë që kjo iniciativë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, e jo vetëm për tri, njofton Klankosova.tv.

“Ballkani i Hapur nuk është për tri vende, po për gjashtë dhe ndryshe nga Procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend, sepse përcakton qartë që cilido prej vendeve që do të eci më shpejtë, duhet ta bëjë këtë pa qenë i detyruar të pres konsensus sikur të jemi një karikaturë e Këshillit Europian”.

Ai tha që nuk do të presin që të binden të gjithë të tjerët, për të vazhduar tuje me iniciativën Ballkani i Hapur.

“Edhe në qëndrimin tonë të përbashkët që do ta marrim më vonë, kemi ripërcaktuar edhe njëherë për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë që Ballkani i Hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve jo vetëm i Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, por as këto që kanë vendosur të ecin më shpejtë nuk do të presin që të binden të gjithë të tjerët”.