Dimitrov: Kur ideja e integrimit në BE minohet s’mund të rrimë pa bërë asgjë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka thënë se bashkëpunimi rajonal në kuadër të nismës “Open Balkan” është zgjedhje e zgjuar, e duhur dhe evropiane.

“Mendoj që nuk ka mëdyshje kur përballesh me krijimin e problemeve dhe nga ana tjetër ke mundësinë të krijosh zgjidhje dhe të ardhme më të mirë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe rëndësia që Qeveria e Maqedonisë së Veriut i jep bashkëpunimit rajonal dhe nismës “Open Balkan” theksohet me faktin që gjendem sot këtu në Beograd”.

“Në kushtet e fazës aktuale politike në Maqedoninë e Veriut jemi në një situatë mjaft komplekse, megjithatë kjo nismë është vërtetë e rëndësishme kështu që nuk mund t’ia lejojmë vetes që të mungojmë në takimet e tre vendeve”.

Ai në konferencën e tre liderëve të vendeve të “Open Balkan” në Beograd tha se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal i shërben vizionit të integrimit evropian, njofton Klankosova.tv.

“I vetmi vizion afatgjatë dhe i qëndrueshëm për një Ballkan të qëndrueshëm dhe fitimtar është ai ku kufijtë janë më pak të rëndësishëm, apo nuk kanë aspak rëndësi. Zhvillimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të nismës “Open Balkan” është hap i shkëlqyer përpara drejt përmbushjes së këtij vizioni evropian. Vizioni i një nga etërve themelues të BE-së prezantoi fakte specifike që kishin solidaritetin si themel për integrimin e arsdhshëm. Kjo nënkupton që duhet të përkujdesemi për njëri-tjetrin ashtu qysh përkujdesemi për veten. Kjo nismë synon saktësisht këtë gjë, të ndërtojë solidaritet duke u zhvilluar, duke krijuar një treg të përbashkët rajonal ku do të ketë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve dhe të shërbimeve e po kështu të ndihmojmë njëri-tjetrin për të përballuar katastrofat natyrore”.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim i integrimit evropian, duke shtuar se kur minohet ideja për integrim në BE vendet e rajonit s’mund të rrinë duarkryq.

“Në takimin tonë në fund të dhjetorit duam të deklarojmë një sërë fitoresh, përfshirë edhe zgjidhje të problemeve. Sa më shumë fitore arrijmë së bashku aq më tërheqëse do të bëhet nisma për vendet e tjera të rajonit tonë. Gjithëpërfshirja është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme po ashtu që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Besoj që sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara aq më tërheqëse do ta bëjë kjo nismën dhe në këtë mënyrë do të mund të zgjidhim edhe rezervat që mund të kenë vendet e tjera”.

“Në dokumentet e miratuara në këtë takim jemi shprehur se bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë karshi integrimit evropian. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal i shërben qëllimit të integrimit evropian, por nuk do të ishte e arsyeshme për ne nëse në kushtet kur ideja e integrimit evropian të minohet ne të rrimë mënjanë dhe të mos bëjmë asgjë. Ne si vende duhet të veprojmë dhe të bëjmë përpjekje dhe kjo do të na bëjë edhe më bindës në sytë e BE-së”.