Radev betonon veton, s’ka negociata pa njohur historinë

Veton bullgare ndaj hapjes së negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së e ka betonuar edhe më shumë, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev. Siç transmeton televizioni bullgar BGNES, Radev ka thënë se Bullgaria duhet të japë pëlqim për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë të Veriut, pasi të njihen faktet objektive historike dhe procesi i çrrënjosjes së gjuhës së urrejtjes të bëhet i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Presidenti bullgar ka akuzuar qeverinë e vendit të tij se për vite me radhë ka dhënë premtime të mbështetjes së pakushtëzuar për Maqedoninë e Veriut dhe thotë se vonë i është kujtuar që të mbrojë interesin kombëtar.

Marrëveshjen e vitit 2017, ai e ka quajtur një lloj teatri dhe deklaratë me dëshira pa kritere të qarta, pa mekanizma verifikimi dhe pa masa për implementim, që siç shprehet Radev, nuk duhet të përsëritet në të ardhmen.

Rumen Radev, president i Bullgarisë

“Ne kemi dëshirë të madhe që miqtë tanë nga Republika e Maqedonisë e Veriut të marrin perspektivën e tyre evropiane dhe kjo është arsyeja pse tani duhet të presim që emocionet të qetësohen. Ne duhet të armatosemi me durim për një bisedë të hapur dhe të qetë dhe kështu të shohim qartë pozicionet e të dy palëve dhe të mos biem në joshjen e zgjidhjeve të shpejta me imitimin e triumfit. Derisa problemet e regjimit të Titos dhe të ideologjisë së tij vazhdojnë të kalben prapa asaj fasade, Bullgaria, duke mos arritur të përfshijë kërkesat tona në kornizën e negociatave, duhet të dakordohet të fillojë negociatat pasi të pranohen faktet objektive historike dhe procesi i çrrënjosjes së gjuhës së urrejtjes dhe ç’rrënjosja e abuzimit me identitetin dhe sovranitetin tonë të bëhet i përhershëm dhe i pakthyeshëm”

Radev ka thënë po ashtu se duhet të nënshkruhet edhe një aneks i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, pasi vlerëson se e njëjtë nuk është implementuar nga pala maqedonase. Presidenti bullgar ka nënshkruar sot edhe vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Bullgari të cilat i ka caktuar për më 28 mars të vitit të ardhshëm./SHENJA