Ra ky regjistrim dhe u panë shqiptarët në mërgim

Sipas Bankës Botërore, në dhjetë vitet e fundit janë shpërngulur mbi 500 mijë qytetarë, nga të cilët një e treta kanë arsimim të lartë. Nuk ka ditë që për shkak të Covidit 19 të mos lexojmë lajme për ndonjë person, që ka humbur jetën, ndërsa një pjesë e madhe varrosen në Perëndim! Nuk ka më keq, që njerëzit, të cilët ëndrrat e tyre i kanë parë në vendlindje dhe në të nuk kanë mundësi as të varrosen. Kësaj i thonë tragjedi e dyfishtë.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u shty në shtator! Ka shumë këndvështrime se pse ndodhi shtyrja e procesit të numërimit të popullsisë, ndër të cilat dominon teza se regjistrimi u ndërpre për shkak të hovit të madh që ndërmori mërgata shqiptare. Deri në fund të prillit numri i qytetarëve të regjistruar, që ekzistencën e sigurojnë në vendet e Perëndimit dhe SHBA-së është 200 mijë persona. Shumica prej tyre janë shqiptarë.

Një e katërta e popullsisë jashtë Maqedonisë së Veriut

Ky entuziazëm i madh i mërgatës shqiptare është ambivalent. Në njërën anë lë hapësirë për të qenë të lumtur, se megjithatë mërgata nuk i ka shkëputur rrënjët me vendlindjen, me shqiptarët e këtushëm, dhe pavarësisht se nuk ka ndonjë privilegj për veten, merr pjesë aktivisht në këtë proces. Krejt kjo bëhet me vullnetin e lirë të mërgimtarëve, të cilët e kuptuan me kohë se të regjistrohesh do të thotë garantim i numrit të përafërt të pranisë demografike të shqiptarëve. Kjo ka vlerë jo vetëm simbolike, për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoninë e Veriut, por janë shumë në numër dhe rrjedhimisht edhe të drejtat e tyre kolektive që gjenerohen nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe normat ligjore, duhet të jetësohen në pajtim me përqindjen reale të shqiptarëve! Statistika demografike reflektohet sidomos në segmentin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të Marrëveshjes së Ohrit, gjë që fare mirë mund të përkufizohet që nga emërtimi i këtij parimi kushtetues, që vlen në shoqëritë shumetnike dhe shumëkulturore.

Ky numër i jashtëzakonshëm i shqiptarëve të regjistruar, jo vetëm që nuk mund të na bëjë të lumtur dhe euforikë, pavarësisht se është proces pozitiv, por duhet ta bëjë të ndalemi për pak kohë dhe të mendojmë ose të rishqyrtojmë se pse kaq shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut sytë i kanë drejt Perëndimit, që shihet si Eldorado, e që shpesh është edhe zhgënjim.

Sipas Bankës Botërore, në dhjetë vitet e fundit janë shpërngulur mbi 500 mijë qytetarë, që do të thotë një e katërta e popullsisë. Nga ata, dy të treta kanë aftësi pune, ndërsa një e treta e qytetarëve ka përgatitje të lartë arsimore, kryesisht në fushën e teknologjisë informatike. Nga 24 shtetet e Europës Lindore, Maqedonia e Veriut, së bashku me Armeninë, Moldavinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, bën pjesë në grupin e shteteve, nga të cilat evidentohet migrim i kuadrit me arsim sipëror. Statistika tregon qartë se çdo i treti qytetar, që e braktis Maqedoninë e Veriut, është me arsimim sipëror! Ndërkaq, 80 për qind e studentëve të fakulteteve pohojnë se pas diplomimit planifikojnë të largohen nga vendi. Të prirë që ardhmërinë e tyre ta shohin në Europë ose edhe më larg, sidomos janë ata që studiojnë shkenca natyrore ose teknike-teknologjike.

Natyrisht, në kohën kur bota është shndërruar në “fshat global”, lëvizja e lirë e njerëzve është procesi më i natyrshëm, por çështja është se pse tek shqiptarët ndodh në përmasa kaq të mëdha. Ngjashëm është gjendja edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, nga të cilat migrojnë qindra mijëra shqiptarë.

Mungesa e shpresës shkakton eksod të madh

Nuk po i trajtojmë pasojat që i shkakton “migrimi i trurit” ndaj ekonomisë, tregut të punës, qëndrueshmërisë së sistemit pensional dhe shëndetësor, por më tepër po fokusohemi tek çështja se pse kaq shumë shqiptarë nuk shohin perspektivë në vendlindjen e tyre.

Nuk ka ditë, që për shkak të Covidit 19 të mos lexojmë lajme për ndonjë person, që ka humbur jetën, ndërsa një pjesë e madhe varrosen në Perëndim! Nuk ka më keq, që njerëzit, të cilët ëndrrat e tyre i kanë parë në vendlindje dhe në të nuk kanë mundësi as të varrosen. Kësaj i thonë tragjedi e dyfishtë. Një jetë e kaluar larg familjes, larg fushave e maleve të vendlindjes dhe në fund t’i japësh fund jetës në ndonjë shtet europian ose në Amerikë e Australi.

Pse ndodh ky fenomen? Kryesore është mungesa e shpresës, e cila siç thonë “vdes e fundit”, por fatkeqësisht tek një pjesë e qytetarëve, sidomos të rinj, tashmë është inekzistente. Mungesa e shpresës është pasojë e faktit që sistemi juridik nuk arrin të sigurojë shtet të së drejtës. Në anën tjetër, çdo ditë ballafaqohemi me skandale qeveritare për korrupsion dhe krim të organizuar, në të cilat janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë qeveritarë. I fundit është ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili me rrogë prej 1 mijë euro ka blerë veturë të tipit xhip që kushton 74 mijë euro, ndërsa në fshatin Pobozhje kishte planifikuar ndërtimin e haciendës që kushton 400 mijë euro. Ai përfundoi në paraburgim në burgun e Shutkës. Xhipin nuk e kishte deklaruar në Komisionin e Antikorrupsionit, ndërsa haciendën e kishte regjistruar në emrin e dy fëmijëve të tij, të cilët janë të mitur.

Asnjë i ri nuk mund të motivohet në një vend, në të cilin libreza partiake është vizë për punësim. Kriteri i avancimit në shkallët e administratës shtetërore dhe publike nuk është as përvoja profesionale, ekspertiza, kompetenca, arsimimi, shkathtësitë komunikative e organizative, aftësitë menaxheriale, por është një dhe i vetëm – ai partiak-ideologjik.

Ne jetojmë në një ambient politik, në të cilin, për shembull, një ditë para zgjedhjes, pas marrëveshjeve partiake, dihen kandidatët që zgjidhen në pozitat e prokurorëve publikë ose edhe funksione tjera. Kur kjo ndodh, nuk mund të pritet nga një i ri me diplomë, e mbi të gjitha me dije të avancuar dhe cilësi të përdëftuara, të presë “mëshirën” e ndonjë kryetari të degës së partive në pushtet, kryesisht Bashkimit Demokratik për Integrim, që ta fusë në listën e punësimeve. Para se ta presë këtë mëshirim politik, një i ri i tillë vendos të drejtohet në Aeroportin e Shkupit ose në stacionet e autobusëve, të cilët edhe pse është kohë e koronës nuk ndalojnë së barturi shqiptarë drejt Europës.

Dy episode tragjike mbi mërgimin

Për fund, po rrëfej dy episode personale që ndërlidhen me mërgimin e të rinjve.

Në stacionin e autobusëve në Tetovë, dy prindër e përcillnin djalin e tyre dhe duart u mbetën lart, edhe pse autobusi, që me siguri ishte nisur drejt ndonjë vendi europian, nuk dukej më në hapësirë. Një fotografi që shkakton dhimbje, por edhe shqetësim se pse shqiptari gjithmonë, si në tregimet e Esad Mekulit, duhet të sigurojë bukën e gojës me “sharrë në krah”!

Në një mesditë në fshatin tim të lindjes – Radushë, i cili njihet si fshat i kurbetit, takova tre persona të moshuar, të cilët jetën e tyre e kanë kaluar në Gjermani. Të pashmangshme ishin rrëfimet e tyre për jetën e rëndë në tokën e huaj. Njëri nga ta, një burrë rreth të 70-tave tek rrëfente tha: “Kurbeti ka qenë i vështirë, pasi çdoherë kur shkoja nga shtëpia, e lija pas nënën time me duart e varura në parmak, duke qarë me lot”. Të gjithë, edhe pse 4 veta në tavolinë, nuk folëm gjë disa minuta!

Heshtja ndonjëherë flet më shumë se fjala!