Qyteti i shenjtë dhe Ambasada

(Ç’thonë mendjet e ndritura?)

Shkruan: Agim Vinca

Hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem është bërë këto ditë temë e ditës ndër ne. Komentet janë nga më të ndryshmet: prej atyre që këtë e quajnë ngjarje historike, deri tek ata që shfaqin rezerva për këtë veprim të imponuar nga ish-presidenti amerikan Tramp dhe të vënë në jetë nga qeveria në detyrë e Kosovës, e cila, është, siç dihet tashmë mirëfilli, një qeveri jolegjitime.

Reagimet në botë po ashtu janë të ndryshme, por mbizotërojnë ato që nuk e miratojnë këtë akt. Bashkimi Evropian u deklarua zyrtarisht kundër hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që është në kundërshtim edhe me Rezolutën e OKB-së të vitit 1980, kurse reagimi i Turqisë ishte, siç mund të pritej, relativisht i ashpër. Ankaraja zyrtare shprehu mospajtimin e saj me këtë veprim të autoriteteve kosovare, për të cilin tha se mund të ketë pasoja në procesin e mëtejshëm të njohjes së Kosovës si shtet, veçanërisht nga vendet islamike (rreth dyzet sosh). Dhe ky mesazh nuk është për t’u nënçmuar, siç veprojnë disa politikanë mendjengushtë lokalë, pa folur pastaj për disa të ashtuquajtur analistë banalë. Turqia është ndër shtetet e para në botë që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka ndikuar që atë ta njohin edhe disa shtete të tjera.

Kosova dhe Shqipëria, për shumë arsye, duhet të kujdesen për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Republikën e Turqisë, që është një superfuqi e llojit të vet: shtet i madh jo vetëm me territor e popullsi, por edhe në planin ekonomik, politik e ushtarak. Mund të jemi kritikë ndaj liderit të saj autoritar, presidentit Erdogan (fundja, as kryeministri izraelit, Netanjahu, nuk shquhet si ndonjë demokrat i madh), por udhëheqjet e tyre janë çështje e brendshme e këtyre vendeve. Vendet e vogla si Shqipëria dhe Kosova, veçanërisht kjo e dyta, që ende nuk e ka rrumbullakuar procesin e shtetësisë së vet, duhet të jenë shumë të kujdesshme në ruajtjen e balanceve politike dhe të marrëdhënieve të mira me vendet mike.

Çdo njohje e Republikës së Kosovës në botë, nga cilido shtet, është e rëndësishme, por njohja nga një shtet i fortë si Izraeli, aq më shumë kur të kihet parasysh roli i lobit çifut në botë, bëhet akoma më e rëndësishme. Njohjet i duhen Kosovës, veç të tjerash, edhe për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nuk më duket e drejtë, sidomos nga pikëpamja njerëzore, të qenët i pandjeshëm ndaj dramës së popullit palestinez dhe cilitdo popull tjetër të vuajtur në botë. I pyetur se ç’mendon për konfliktin palestinezo-hebraik, poeti Naxhvan Darvish, i përkthyer së fundi edhe në gjuhën shqipe, thotë: “Ky nuk është konflikt palestinezo-hebraik… Religjionet këtu nuk janë problem, ekziston një histori e gjatë e bashkëjetesës, pjesë e së cilës janë edhe hebrenjtë, derisa nuk u shfaq projekti sionist për shkatërrimin e traditës sonë të përbashkët”. (Intervistë dhënë gazetës “Veçernji list” të Zagrebit, dhjetor 2016).

Popujt që kanë vuajtur nga aparteidi (e këtu hyjnë edhe shqiptarët, edhe hebrenjtë, e edhe palestinezët), duhet të kenë mirëkuptim për vuajtjet e njëri-tjetrit dhe duhet të përpiqen, sa të jetë e mundur, të mos bëhen pre e manipulimeve të “të mëdhenjve”.
Me folë drejt, Izraeli është dashur ta njihte Kosovën edhe më parë dhe – pa kushte, në mos tjetër për hir të mbrojtjes që shqiptarët ua kanë bërë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pak, shumë pak, janë popujt që kanë manifestuar një sjellje të tillë, si shqiptarët, gjatë holokaustit. (Meqenëse ra fjala e njohjeve, nuk mund të mos themi edhe diçka, që mund të tingëllojë si herezi: përse as pas plot 13 vjetësh Vatikani nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe përse në Prishtinë, ku në mes të qytetit është ngritur katedralja katolike në themelet e shkollës së dikurshme, askush nuk e shtron këtë pyetje?!).

Thuhet se qëndrimi i politikanëve palestinezë lidhur me Kosovën dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe është tejet i keq. Nuk e di a ndodh kështu me gjithë faktorin politik palestinez apo vetëm me ambasadorin palestinez në Beograd, deklarata e të cilit pas hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem ishte një kërcënim i hapët. S’do mend se te ky ambasador ndikon edhe mjedisi ku vepron (njohësit e rrethanave thonë se ai është “peng i Beogradit”), por nuk mund të shfajësohet as pala shqiptare, Prishtina dhe Tirana zyrtare, që nuk merr mundimin t’i kontaktojë atë dhe të tjerët si ai dhe t’u japë sqarimet e duhura.

Është koha e fundit që diplomacia shqiptare të zgjohet nga gjumi dhe ta luajë rolin që i takon: atë të njohjes së të vërtetës për shqiptarët në botë dhe nevojës së ekzistimit të shtetit të Kosovës si një zgjidhje kompromisi e çështjes shqiptare në Ballkan, pa harruar kurrsesi as kalvarin nëpër të cilin ka kaluar populli shqiptar nën sundimin serb. Kjo do të duhej të ishte pikënisja e çdo kontakti me subjekte politike e të tjera kudo në botë, përfshirë edhe individët me ndikim.

Historia e konfliktit izraelito-palestinez dhe izraelito-arab fillon, siç dihet, me krijimin e shtetit të Izraelit në territorin e Palestinës shtatëdhjetë e sa vjet më parë dhe pikërisht në vitin 1948, ashtu siç fillon konflikti shqiptaro-serb me pushtimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike në vitin 1912, por edhe më parë, pushtim ky të cilin e pati njohur diplomacia e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913.

Para se të krijohej shteti izraelit, në shtator të vitit 1947, OKB-ja ngriti një Komitet të Posaçëm për Palestinën (KPP), i cili propozoi formimin e dy shteteve të pavarura në territorin e Palestinës së lashtë: një për arabët dhe një për hebrenjtë, gati të njëllojtë për nga madhësia, që do të kishin një ekonomi dhe monedhë të përbashkët, ndërsa Jerusalemi, sipas Komitetit në fjalë, duhej të ishte një “corpus separatum neutral” nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me një guvernator të caktuar nga OKB-ja.
Hebrenjtë, ndonëse jo me dëshirë, e pranuan këtë propozim, kurse udhëheqjet e verbra arabe deklaruan njëzëri se nuk do të pranonin asnjë kompromis dhe se “do ta mbysnin në gjak çdo përpjekje për të krijuar një qenie sioniste, qoftë edhe në një pëllëmbë të tokës të Palestinës”.

​Pasuan luftërat arabo-izraelite të vitit 1948 e 1956, por situata u komplikua sidomos me Luftën Gjashtëditëshe të vitit 1967, kur Izraeli për pak ditë e trefishoi territorin e vet, duke pushtuar Rrafshnaltën e Golanit të kontrolluar nga Siria, Bregun Perëndimor të Jordanit, Sinain dhe Rripin e Gazës të kontrolluar nga Egjipti, si dhe Jerusalemin lindor, deri atëherë nën kontrollin e Jordanisë, problem që ka mbetur i hapur deri më sot.

Në reagimet e shumta që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në median shqiptare nga politikanë të rangjeve të ndryshme dhe individë të tjerë, nuk kam parë të shqiptohet asnjë fjalë për qëndrimin që kanë intelektualët e të dy popujve të konfrontuar dhe veçanërisht të popullit izraelit lidhur me kontestin midis dy vendeve dhe qytetin e Jerusalemit si “mollë sherri”.
Kjo edhe është arsyeja që më nxiti t’i them dy fjalë për këtë çështje, natyrisht me informacionin që kam, i cili nuk pretendoj të jetë i plotë.

Ç’thonë mendjet e ndritura? Si e shohin zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez disa intelektualë eminentë të popullit izraelit?
Shkrimtari i shquar Amos Oz, një krijues dhe humanist i madh, mendon se kriza mes dy popujve duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore me krijimin e shtetit palestinez dhe ndarjen e Jerusalemit në dy pjesë: në pjesën perëndimore, që do t’i takonte Izraelit dhe në atë lindore, që do t’i takonte Palestinës.

Në romanin e tij autobiografik Rrëfim për dashurinë dhe errësirën, të mbështetur në përvojën personale dhe në dokumente, shkrimtari i njohur sjell shumë ngjarje që flasin për stereotipat e krijuar nga të dy palët për njëri-tjetrin dhe kërkon kapërcimin e tyre dhe gjuhën e mirëkuptimit për hir të brezave që vijnë. “… ka vend të bollshëm në këtë shtet për të dy popujt, sikur vetëm të kishin vullnetin për të jetuar së bashku në paqe dhe respekt të ndërsjellë” (Rrëfim për dashurinë dhe errësirën, botimi shqip, f. 391).
Një nga personazhet më mbresëlënëse të romanit është një vajzë e vogël arabe, e cila vdes rrugës për në spital pas aksidentit, sepse te postblloku qëndron një ushtar i pashpirt izraelit, të cilin shkrimtari e quan “kardinal Risheljë”, ndërkohë që kritikon shtypin e vendit, “gazetat që nxjerrin gjithmonë fotografi të viktimave tona, jo të tyret”.

Edhe shkrimtari tjetër i njohur izraelit, David Grosman, i cili humbi të birin në luftën në Liban, deklaron: “Ka vetëm një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez: të ndahet ky vend midis dy palëve”. Kurse sa i përket Jerusalemit, zoti Grosman, i lindur në Jerusalem, konsideron .se duhet të gjendet një zgjidhje që do ta bëjë atë edhe kryeqytet të Izraelit, edhe kryeqytet të Palestinës. Por kjo nuk mjafton, sipas tij. “Paqja nuk bëhet vetëm me uljen e armëve dhe nënshkrimin e protokolleve, por duke e shikuar tjetrin si njeri e jo si armik”. (Shih intervistën me këtë shkrimtar në librin e Rudina Xhungës Shkrimtarët e shekullit, Tiranë 2014, f. 37).
Një përgjigje shumë interesante, në thelb paradoksale, lidhur me këtë çështje jep kolegu i tij më i moshuar Amos Oz, i cili, në një intervistë të vitit 2017, me rastin e 70-vjetorit të formimit të shtetit të Izraelit, tha tekstualisht: “Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me Jerusalemin, por e di se çfarë duhet të ndodhë. Çdo vend i botës duhet ta ndjekë shembullin e Presidentit Tramp dhe ta zhvendosë ambasadën e tij në Jerusalem. Por njëkohësisht duhet të ketë një ambasadë të të gjitha vendeve të botës në Jerusalemin Lindor si kryeqyteti i shtetit të Palestinës”.

Jerusalemi, djepi i tri feve dhe qytetërimeve: judaizmit, krishterimit dhe islamizmit, konsiderohet me të drejtë “Qytet i Shenjtë”. Është në nderin e popujve të kësaj zone, arabë e hebrenj, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe në radhë të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ky qytet ta ruajë këtë aureol edhe në të ardhmen e jo të bëhet shesh manipulimesh të vogla e të mëdha politike e të tjera të ngjashme!

Kryeqytet i Izraelit si shtet vazhdon të jetë Tel Avivi dhe ambasadat e të gjitha shteteve të botës (me përjashtim të asaj të SHBA-ve, të Guatemalës dhe nga 1 shkurti edhe të Kosovës) janë të instaluara aty.

Qeveria në ikje e Kosovës e ka vënë para aktit të kryer qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit: ajo tashmë e ka emëruar ambasadoren dhe ne pamë në televizion ceremoninë e vënies së pllakës me mbishkrimin: “Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, Jerusalem”, por akoma nuk kemi parë diçka të ngjashme në Prishtinë.

Se si do të veprojë Qeveria Kurti lidhur me këtë çështje nuk mund të paragjykojmë, por është fakt se kjo i krijon asaj një problem shtesë, sidomos kur të kihet parasysh qëndrimi i Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit synojnë të jenë të dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova (sikundër edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë), për t’u “bashkuar” në Bruksel.
Jerusalemi, ky qytet-simbol i vuajtjes dhe pësimit, por edhe i paqes dhe tolerancës, të cilin përkthyesi i Biblës në shqip, dom Simon Filipaj, e quan “Rruzalem”, duhet t’u takojë të dy popujve (dhe gjithë njerëzimit). Kështu thonë korifenjtë e artit dhe të dijes, që janë zëri i arsyes.

Si mund të mos e dëgjojmë këtë zë, ne që kemi qenë aq gjatë viktimë e diskriminimit, segregacionit dhe dhunës?!