Fytyra e burrështetasve hajdut shpërfaq pafytyrësinë e elitave shqiptare

Nga Kim Mehmeti

Ja, së fundmi edhe dokumentari i RAI3 që tregon atë që e dinim, por që shtireshim se nuk e shohim: se si shtet, Shqipëria i ngjanë një organizate kriminale. Pra ja edhe një dëshmi se ne shtiremi që nuk e dimë se fytyra e burrështetasve tanë hajdutë e kriminelë e shpërfaq pafytyrësinë e elitave shqiptare.
E sa i përket heshtjes dhe pafytyrësisë së sotme të elitave shqiptare, ajo është melodi zbavitëse në krahasim me heshtjen e tyre katërdekadëshe përderisa Xhaxhi Enver ua vriste shqiptarëve njerëzit më të vlefshëm që ata kishin.
Po pra, dokumentari i RAI3 nuk tregoi asgjë më shumë nga ajo që e dimë të gjithë sa jemi, shkrimtarë, shkencëtarë, mendimtarë të ‘pavarur’…, ne që shikonim sehir kur rrënohej Teatri Kombëtar, ne që edhe sot shtiremi se nuk e dimë se, për shembull, po t’i ndodhte bashkisë së Lubjanës që gjysma e drejtorëve të saj të përfundonin në burg, atëherë atdhedashuria e banorëve të saj do e ‘kallte tërë qytetin’!
Por te ne është krejt ndryshe. Ne shumëçka e dimë dhe e shohim, neve çdo gjë na thuhet hapur e pa frikë, por shtiremi se nuk dëgjojmë e nuk shohim gjë. Siç u shtirëm se nuk dëgjuam kur hapur na u tha se Piktori do na sundojë ‘ndershëm’ duke ardhur në pushtet me ndihmën e ‘aleancës së qelbësirave’?!
Dhe pasi erdhi në pushtet dhe e shpalli shtetin pronë të veten, ai shkoi përtej kësaj dhe na dëshmoi se nuk ka njeri që nuk blihet, por vetën nëse nuk ia gabon çmimin. E kur jemi të çmimet, kuptohet se ai i të huajve është shumëfish më i lartë se i mendimtarëve shqiptarë që debatojnë nëpër mediat e ‘pavarura’ të Tiranës.
Pasi pra erdhi në pushtet dhe i mbushi xhepat e ‘Rilindjes’ me miliona euro, ai doli në tregun ku shiten e blihen elitarë e njerëz të fuqishëm. Dhe aty gjeti edhe shumë nga ata që kanë ekzistuar gjithmonë: të huaj me ndikim që shiten e blihen, të cilët të mësojnë si ta duash dhe mbrosh atdheun tënd, por ndërkohë duke i ndihmuar ‘blerësit’ e tyre – qeveritarët hajdutë që e rrënojnë atë. (Kim Mehmeti)