Qeveria shpalos detaje nga takimi Kovaçevski-Taravari

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot u takua me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski dhe Taravari biseduan për shumë tema aktuale lidhur me përcaktimet strategjike të shtetit. U diskutuan përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, fillimi i negociatave me BE-në me qëllimin përfundimtar anëtarësimin e plotë në BE dhe partneriteti strategjik që Maqedonia e Veriut ka zyrtarizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedimeve mes Kryeministrit Kovaçevski dhe Taravari ishte lufta e padiskutueshme kundër korrupsionit në kuadër të proceseve reformuese që po ndodhin në vend, si dhe procesi i skriningut i cili deri më tani realizohet me sukses por edhe procesi për të sjell vendime dhe reforma që do të kontribuojnë në integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE.

Duke pasur parasysh harmonizimin programor dhe përkushtimin për arritjen e qëllimeve prioritare të shtetit, Kryeministri Kovaçevski dhe Taravari diskutuan dhe ranë dakord për rëndësinë e promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat janë karakteristikë e politikës dhe diplomacisë maqedonase ndër vite, , me qëllimin përfundimtar – kohezionin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, por edhe përparimin dhe zhvillimin e ardhshëm të shpejtë të shtetit.

Gjithashtu, Kryeministri Kovacevski dhe Taravari diskutuan për trajtimin efikas të krizës energjetike dhe ekonomike, zhvillimin ekonomik si dhe miratimin e ligjeve reformuese që nënkuptojnë përmirësimin e funksionimit të shtetit si zgjidhje ligjore për kontrollin financiar publik, parandalimi i abuzimit me balancuesin, mbrojtja e kategorive tw cenueshme të qytetarëve, si dhe ligji për Qeverinë, por edhe fuqizimi institucional i Byrosë së Zhvillimit Rajonal.

Do të vazhdojnë takimet e punës së kryeministrit me partitë politike parlamentare dhe joparlamentare, ku fokusi është vazhdimi i rrugës evropiane dhe marrja e vendimeve ekskluzivisht në interes të qytetarëve dhe shtetit.