Qeveria e RMV-së miratoi 18 milionë euro për energjinë termike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme miratoi 18 milionë euro si mjete për funksionimin likuid të kompanive dhe furnizimin e vazhdueshëm me energji termike të konsumatorëve të Qytetit të Shkupit.

“Është marrë vendim që SH.A.-së për prodhimin e energjisë elektrike “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, në pronësi shtetërore, Shkup, t’i miratohen 1.1 miliardë denarë për blerje të energjisë termike, para fillimit të sezonit të ngrohjes, në pajtim me vendimin për ekzistencën e gjendjes së krizës për furnizimin me energji termike”, njoftojnë nga Qeveria.

Nga Qeveria shtojnë se kjo masë siguron furnizim të pandërprerë të qytetit të Shkupit me energji termike dhe besueshmëri dhe stabilitet në shpërndarjen e energjisë termike për konsumatorët gjatë sezonit të ngrohjes për këtë vit.