Filipçe: Alta Banka është pjesë e koncesioneve politike të Mickoskit ndaj Vuçiqit

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka deklaruar se pushteti ka qenë në dijeni se kush qëndron pas Alta Bankës dhe se hyrja e saj në tregun maqedonas, sipas tij, është pjesë e koncesioneve politike të kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit.

Në një intervistë për televizionin Sitel, Filipçe hodhi poshtë pretendimet për mungesë informacionesh nga institucionet dhe kërkoi sqarime për rolin e kryeministrit në procesin e marrjes së Bankës Ekonomike të Manastirit nga Alta Banka.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për përfshirjen e Mickoskit dhe ministres së Financave, Gordana Koçoska, në procesin që lidhet me shitjen e aksioneve të ndërmarrjeve publike te banka e re.

Filipçe paralajmëroi se në seancën mbikëqyrëse parlamentare për rastin Alta Banka do të kërkohet përgjegjësi nga rreth 30 persona, përfshirë kryeministrin, presidenten e shtetit, ministren e Financave, guvernatorin, zëvendësguvernatorët, përfaqësues të bankës dhe institucioneve përkatëse.

Sipas tij, seanca duhet të sqarojë prejardhjen e parave, transaksionet financiare dhe vendimmarrjen institucionale lidhur me këtë rast.

„Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë proces dhe kanë përgjegjësi politike apo institucionale, do të duhet t’u përgjigjen qytetarëve“, deklaroi Filipçe.

Ai tha se LSDM prej më shumë se një viti e gjysmë paralajmëron për rastin dhe kërkoi që institucionet të japin përgjigje për shqetësimet e ngritura.