Qeveria e Kosovës t’i jap fund heshtjes, për vrasjen e trefishtë, vëllezërve Gërvalla dhe Zekës

“Të fortët dhe komandantët”, rrënuan sistemin e drejtësisë dhe vazhdojnë ta mbajnë peng Kosovën”, thotë ndër të tjera Zeqiraj
Atentati i porositur për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën/Rrëfimi i Hysen Gegës: Ja si u pendova…!

Kanë kaluar afër 4 dekada që nga dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Atentati ndaj dy vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur me 17 janar, 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav i luftojnë kundërshtarët e pushtetit.

Media gjermane, Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruante se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”. Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.

Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes në spital, i kishte pëshpëritur policisë “Ka qenë UDB-ja”.

Sot, për herë të parë kemi në një post të rëndësishëm një pasardhës së familjes Gërvalla. Është vajza e heroit Jusuf Gërvalla, Donika e cila e drejton një nga dikasteret më të rëndësishme qeveritare, Ministrinë e Jashtë dhe të Diasporës.

Familja Gërvalla ka bërë shumë përpjekje për ta kuptuar të vërtetën, se nëse kishte atentator shqiptar dhe kush ishin, si dhe që të dënohen porositësit dhe pjesëmarrësit në vrasje.

Gati tetë vjet më parë, e bija e Jusuf Gërvallës në një intervistë për atentatin, 32 vjet më pas, shprehte dyshime se ka emra zyrtarësh në qeveri që janë pjesë e hetimeve të rastit.

“Emrat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës janë pjesë e dosjes së hetimeve dhe përmenden në këtë dosje”, deklaronte Donika Gërvalla në janarin e vitit 2014.

Kjo ngjitje e pasardhësve të viktimave në nivele të larta qeverisëse nuk është e vetmja.

Në disa mandate në Qeveri ka qenë edhe nipi i Kadri Zekës, Zenun Pajaziti. Madje ai ka drejtuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ka qenë edhe deputet.

Nuk ka dëshmi nëse ka pasur përpjekje nga këto pozita për ta zbardhur të vërtetën.

Por, të dyshuar ka pasur mjaft.

Meqë viktimat dhe pjesëmarrës në këtë krim makabër mund të kenë qenë edhe shqiptarë nga Kosova, i takon shtetit të Kosovës që të hap hetime edhe për këtë krim shtetëror.

Që nga ajo kohë askush nuk është dënuar, dhe nuk është e sigurt nëse porositësit dhe autorët e atentatit janë ende gjallë.

Kosova zyrtarisht asnjëherë nuk ka hapur hetime lidhur me këtë rast.

Kjo mbetet një pikë e zezë në historinë e vendit tonë, se si ende nuk u zbardhë atentati ndaj tre heronjve shqiptarë në Gjermani.

Ndaj, nga shteti i Kosovës kërkohet më shumë punë dhe hetime në këtë rast.

Zeqiraj: Qeveria e Kosovës duhet t’i jap fund heshtjes, për vrasjen e trefishtë, në Untengruppenbach të Shtutgartit

Opinionisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për atentatin ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

Ndonëse po bëhen 4 dekada , Zeqiraj thotë se ky atentat i kobshëm duhet të hetohet.

“Tema e shtruar nga “Bota sot” se “A mund të hetohet nga Kosova atentati ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka”, – përgjigja e saktë është: Po – e madhe.

Edhe pse po bëhen katër dekada, nga kur ndodhi atentati i kobshëm, ndaj djemve atdhetarë, në Mërgatë, ekziston mundësia, jo vetëm e hetimit, por, edhe e zbulimit, të paktën, për argatët shqipfolës të Serbisë, qofshin ata në mërgatë apo në atdhe. Nga 4 të dyshuarit potencial, që kanë njohuri të bollshme për planifikimin dhe organizimin e atentatit, njëri syresh ka vdekur ca muaj më parë. Por, ka lënë dëshmi faktike gojore e shkrimore të mjaftueshme, për rolin e tij dhe implikimet e tre të gjallëve”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Zeqiraj thotë se familja e viktimave Gërvalla ka siguruar të dhëna për 4 të dyshuarit potencial, të cilët dyshohet se kanë pasur lidhje me krimin e 17 janarit 1982.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe letrën e publikuar në vitet e ’90-ta nga vëllezërit Gërvalla drejtuar një eksponenti të LPK-së.

“Edhe familja e nderuar dhe e viktimizuar Gërvalla, tashmë, ka siguruar të dhëna faktike, që ndihmojnë, pa demantueshëm, për zbulimin e rolit, që të lakuarit, me emër e mbiemër, kanë pasur në krimin e 17 janarit 1982, ose më parë, deri në porosinë, për t`i vrarë vëllezërit Gërvalla.

Një letër e publikuar në vitet e `90-a, nga vëllezërit Hysen dhe Avdyl Gërvalla, drejtuar njërit nga eksponentët e LPK-së, në mes tjerash, renditën 4 (katër) fakte-akuzë. Njëra nga këto është porosia e dhënë, nga të dyshuarit, nuses të Kadri Zekës, Saime Isufi, të informohet me telefon, pas mbarimit të bisedimeve, në mes vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, të asaj nate fatale. Dhe, komunikimi mund të bëhej vetëm me telefona shtëpie. Ata e dinin se Jusufi nuk kishte telefon në shtëpi, meqë, si azil-kërkues, ende nuk i lejohej numri telefonik privat. Dhe, duhej njoftuar nga kabina telefonike, në një rrugë të fshatit. Dhe, pikërisht, kur ata dalin nga garazhi me veturë, për të shkuar ke kabina telefonike, atentatohen për vdekje, mjerisht! Pra, kush insistoi, këmbënguli për atë telefonatë asaj nate?!”, thekson Zeqiraj.

Po ashtu, Zeqiraj përmendi edhe një nga atentatorët e vëllezërve Gërvalla, Hysen Gega, i cili kishte shkuar në shtëpinë e familjes Gërvalla dhe kishte rrëfyer planin fillestar dhe pendimin e mëvonshëm.

“Një “Komitet”, që publikisht dihen 4 emra, kishte dënuar me vdekje vëllezërit Gërvalla. Atentatori, Hysen Gega, kishte pranuar vendimin e “Komitetit”. Ndërkohë, ishte penduar dhe kishte shkuar në shtëpinë e Gërvallave, ishte rrëfyer për planin fillestar dhe pendimin e mëvonshëm, duke dorëzuar edhe armën e krimit, të mbetur në tentativë. Ky akt i Gegës, u vlerësua si burrëror.

Hysen Gega, me urdhër të “Komitetit” ishte përcjellur për në Kosovë, me një trastë, (strajcë) me literaturë politike, me qëllim të vënies në kurthin e UDB-së, si shenjë hakmarrje, për mos zbatimin e vendimit vrastar të “Komitetit”! Ndërkohë që Hysen Gega vuante burgun, prej 12 vitesh, në Kosovë, vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, u realizua në Untengruppenbach të Gjermanisë”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, publicisti rikujton intervistën e Hysen Gegës, në të cilën ky i fundit pranoi se ishte urdhëruar për ta vrarë Jusufin dhe Bardhin, mirëpo një gjë të tillë nuk e bëri pasi u pendua.

“”Zëri i Kosovës”, organ i Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës, (LPRK), më 2 shkurt 1993, boton një intervistë të Hysen Gegës, me titull “Asgjë nuk harrohet”, ku pranon se “Komiteti” më ngarkoi për ta vrarë Jusufin dhe Bardhin, por, u pendova dhe nuk e zbatova urdhrin!”

Cituam qëllimshëm kreun e Familjes Gërvalla, Hysen Gërvallën, për të dëshmuar se ekzistojnë fakte të mjaftueshme hetuese dhe zbuluese, për njërin nga krimet më të trishta, që vazhdon të heshtet, pikërisht, nga soji ideologjik, të cilët e përgjakën Kosovën. “Të fortët dhe komandantët”, rrënuan sistemin e drejtësisë dhe vazhdojnë ta mbajnë peng Kosovën”, thotë ndër të tjera Zeqiraj.

Në fund, duke u bazuar edhe në rrëfimin e Hysen Gegës, publicisti thotë se Qeveria e Kosovës duhet t`i jap fund heshtjes, për vrasjen e trefishtë, në Untengruppenbach të Shtutgartit.

Ai potencoi se një hetim serioz do të arrinte zbulimin e shumëpritur, të këtij rasti.

“Edhe pse njëri nga të dyshuarit, për rastin Gërvalla dhe Zeka, ka pranuar implikimin dhe ka shprehur gatishmërinë për hetim e ballafaqim, duke e akuzuar kolegun se “ai më implikoi në këtë çështje!” Megjithatë, përsëri heshtet, sepse “ai” është denoncuar publikisht, në media dhe në gjyqet e të tjerëve, për bashkëpunim me “të fortët dhe komandantët”, në krimet vrastare, gjatë dhe pas luftës.

Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës duhet t’i jap fund heshtjes, për vrasjen e trefishtë, në Untengruppenbach të Shtutgartit, përkatësisht, të Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të ndodhur gati 40 vite më parë. Një hetim serioz, do të arrinte zbulimin e shumëpritur, nga populli i Kosovës dhe Shqiptaria mbarë”, përmbylli Idriz Zeqiraj. për “Bota sot”.

Kelmendi: Zbardhja e atentatin kundër vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zeka është i rëndësishme për kombin shqiptar

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” thotë se në bazë të ligjeve aktuale në fuqi, hetimet e veprave penale bëhen në vendet ku kryhen ato, por rëndësia e këtij krimi nuk e ndalon aspak Kosovën që t’i kryejë hetimet e veta.

Njëjtë vlen edhe për atentatin ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ku kompetente është prokuroria e Republikës Federale të Gjermanisë.

“Hetimet mbi veprat penale në bazë të ligjeve në fuqi bëhen nga organet ku është kryer vepra penale. Për atentatin e bërë ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës është kompetent prokuroria e shtetit të RFGJ-së.

Atje në Untengruppenbach, afër Helbronit, është kryer krimi monstruoz dhe atje zhvillohen hetimet, duket se ende nuk kanë përfunduar hetimet në RFGJ.

Mirëpo, çështja dhe rëndësia e veprës nuk e ndalon as Kosovën që të bëjë hetimet e veta”, deklaroi ai.

Sipas Kelmendit, kjo gjë nuk e ndalon Kosovën që përmes Prokurorisë Speciale të zhvillojë hetime mbi atentatin e tre heronjve shqiptarë. Ai vlerëson se Kosovës patjetër i duhet një përfundim i këtij rasti.

“Republika e Kosovës e ka Prokurorinë Speciale dhe ata mund të japin dhe të zhvillojnë hetime edhe për këtë rast të bërë ndaj këtyre tre heronjve. Kuptohet se askush nuk përjashtohet nga hetimi. Çdo kush që në një mënyrë apo në tjetrën përmendet për atentator kundër tre veprimtarëve duhet të hetohet nga organet e Republikës. Kosovës i duhet domosdo një përfundim për atentatin në Untengruppenbach të RF të Gjermanisë”, theksoi juristi.

Tutje, Kelmendi vlerësoi se sa më shumë po kalon kohë pa u zgjidhur ky rast, aq më shumë atentati po kalon me akuza dhe fërkime ndërmjet njerëzve të ndryshëm.

“Mos zbardhja e këtij atentati po kalon me akuza kundër njerëzve të ndryshëm dhe kështu po krijohen dyshime të pabaza dhe në komb po kemi shumë fërkime të ashpra.

Atentatin e ka kryer, sikundër e ka vlerësuar ish-organizata e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, që e bënë bashkimin dhe më vonë, u quajt LPRSSHJ, UDB-ja e ish-regjimit serbo-maqedono-malazezomadh. Pra, Jugosllavia e viteve të ’80-ta.

“Nuk ka dyshim se organizimin e atentatit ndaj Jusuf e Bardhos Gërvallës e Kadri Zekës, shkruan në vitin 1982 “Zëri i Kosovës”, në autorësinë e atentatit, se vjen nga Beogradi. Në kazermat e UDB-së është bërë plani dhe nga atje është kryer atentati”, tha ndër të tjera ai.

Të hetohet ish zyrtari i UDB-së Maliqi

Megjithatë, njohësi i çështjeve kushtetuese tha se Prokuroria Speciale duhet ta hetojë këtë rast dhe të gjitha lidhjet e atentatit që shkojnë nga UDB-ja në Beograd.

“Mirëpo, pavarësisht kësaj, Prokuroria Speciale e Kosovës duhet të hetojë tërë anët. E mbi të gjitha lidhjet për atentat që shkojnë nga UDB-ja në Beograd. Prokuroria e Kosovës i njeh ish-udhëheqësit e UDB-së në Kosovë dhe është e pakuptimtë pse ata nuk hetohen për atentatin e bërë në RFGJ. Sigurisht se ka ndonjë ish-punëtor të UDB-së që vjen nga përkatësia nacionale shqiptare dhe të ndonjë nacionaliteti tjetër të dhëna për atentatin. Ata duhet të hetohen sa janë në jetë. Dikur bëhet vonë”, thotë Kelmendi.

Krejt në fund, Kelmendi potencoi se është shumë domethënëse për harmonin e brendshme midis shqiptarëve, zbardhja e atentatit. “Kombi do të frymon më lehtë”.

“Zbardhja e atentatit ndaj vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës ka rëndësi shumë të madhe për Kosovën. Me atë hiqen dyshimet e vrasjeve midis ndonjë grupimi politik në perëndim. Jam i sigurt që hetimet do të shkojnë vetëm drejt Beogradit, te UDB-a. UDB-së ka qenë shumë profesionale. Edhe para këtij atentati ka kryer shumë atentate tjera ndaj personaliteteve të mërgatës kroate”, thotë Kelmendi.

Kelmendi mendon se është esenciale që nga ish udhëheqësit e UDB-së në Kosovë të merret në pyetje, Maliqi.

“Forma dhe mënyra e kryerjes së atentatit është e njëjtë me atentatet tjera të bëra nga UDB-a. Për prokurorinë duhet përmendur dy veta që kanë qenë ballë UDB-së. Në Kosovë është ish-udbashi Maliqi dhe në Beograd është Stane Dollanci. Me siguri ka edhe të tjerë që janë në jetë. Është shumë domethënëse për harmonin ndërnacionale midis shqiptarëve zbardhja e atentatit. Kombi do të frymon më lehtë”, përfundoi Muhamet Kelmendi.