Qentë e rrugës i kushtojnë Shkupit 46 milionë denarë, brenda 6 muajve “Llajka” merr mbi 700 kallëzime për kapjen e qenve

Pothuajse 46 milionë denarë, ose rreth 750 mijë euro, kanë paguar autoritetet e Qytetit të Shkupit gjatë vitit të kaluar si dëmshpërblim për qytetarët e kafshuar nga qentë e rrugës. Vetëm deri më 24 qershor të këtij viti Ndërmarrja Publike “Llajka”, e cila disponon me 140 vende për qen, ka pranuar 710 kallëzime nga qytetarët për kapjen e qenve të rrugës. Edhe pse disponon me 140 vende në “Llajka” për momentin janë të vendosur rreth 180 qen, dhe atë falë boksave të jashtëm që janë siguruar shtesë për mbajtjen e qenve në grup, transmeton Portalb.mk.

Pavarësisht pagesave milionëshe dhe përpjekjeve të NP “Llajka” qytetarët edhe më tej ankohen për numrin e madh të qenve të rrugës në disa lagje të Shkupit.

Sipas procedurës së NP “Llajka”, qytetarët që do të vënë re qen rruge apo agresiv duhet të bëjnë kallëzim përmes uebfaqes së ndërmarrjes, ku ka një rubrikë të veçantë për këtë qëllim. Pas kapjes qentë dërgohen në stacionar ku i nënshtrohen trajtimit veterinar, përkatësisht sterilizimit, vaksinimit kundër tërbimit, mikroçipimit dhe shënimit me pulla në vesh.

Pas përfundimit të trajtimit dhe vlerësimit të sjelljes ata përsëri kthehen në lokacionin nga ku janë kapur. Përjashtim janë rastet kur është raportuar kafshim i mbështetur me dokumentacion mjekësor. Në ato raste pas kapjes qeni nuk kthehet më në të njëjtin lokacion.

Nga NP “Llajka” problemin me numrin e madh të qenve të rrugës ia atribuojnë edhe pronësisë papërgjegjshme dhe shtimit të pakontrolluar të qenve shtëpiakë.

“Qyteti i Shkupit, si edhe çdo komunë në vendin tonë, ka për detyrë të zbatojë monitorim të popullatës së qenve të rrugës. Monitorimi i fundit është zbatuar në vitin 2023, ndërsa për momentin po zbatohet një i ri me metodologji të zhvilluar nga ICAM, që është pjesë e WOAH. Monitorimi në vitin 2023 nxorri në pah se në territorin e Qytetit të Shkupit qarkullojnë rreth 4.000 qen rruge, 48 përqind e të cilëve janë të sterilizuar. Njëkohësisht, rreth 18 përqind e qenve të gjetur në rrugë kanë qenë me pronarë, por që janë lënë pa mbikëqyrje. Për krahasim, në Shkup ka rreth 40.000 qen të regjistruar me pronarë, ndërsa vetëm 9 përqind prej tyre janë të sterilizuar“, thanë nga NP “Llajka”.

Në redaksinë e Meta.mk kanë arritur ankesa nga qytetarët për grupe të qenve të rrugës në pjesë të ndryshme të Shkupit. Njëra prej tyre është nga një banore e lagjes Taftalixhe, e cila thotë se në lagjen e tyre me muaj të tërë po qarkullon një grup qensh.

“Grupi i qenve u shfaq vjeshtën e kaluar brenda natës. Ishte e qartë se janë sjellë nga një lokacion tjetër. Asnjëri prej tyre nuk na dukej i njohur, e as nuk kishte pullë në vesh. Mes tyre kishte edhe nëna me këlyshë. U lanë në një lokacion shumë të pasigurt, menjëherë pranë një rruge me frekuencë të lartë, për këtë arsye çdo ditë dëgjojmë frenime të automjeteve që tentojnë t’i shmangin. Rruga nuk është e sigurt as për shoferët e as për qentë“, tha ajo.

Sipas saj qentë janë agresivë ndaj kalimtarëve që shëtitin me kafshët shtëpiake, por edhe ndaj çiklistëve dhe personave me trotinetë.

“Shumë herë jemi lajmëruar në “Llajka” dhe në Komunën e Karposhit, por ato vazhdojnë të jenë aty në të njëjtin lokacion. Na thane se do t’i marrin për ta kaluar trajtimin human, por se nuk mund t’i mbajnë sepse kapacitetet i kanë të mbushura. Kjo nuk e zgjidh problemin, as për qentë, as për qytetarët të cilët nuk mund të dalin nga shtëpia pa frikë“, shtoi ajo.

Nga NP “Llajka“ thonë se pikërisht ky grup qensh është identifikuar si prioritet për intervenim dhe se sipas vëzhgimeve të tyre në terren bëhet fjalë për qen që nuk janë autoktonë për atë zonë.

“Shfaqja e tyre e njëkohshme si grup i formuar, si dhe fakti që asnjë prej tyre më parë nuk ka qenë i trajtuar, na bën të dyshojmë se janë dislokuar nga ndonjë komunë tjetër jashtë Qytetit të Shkupit“, thanë nga ndërmarrja.

Me përvojë të ngjashme është përballur edhe një qytetar nga Gjorçe Petrovi, i cili studion jashtë vendit dhe momentalisht po ndjek procedurë për dëmshpërblim për shkak të kafshimit nga qeni.

“Disa ditë para Vitit të Ri po kthehesha në shtëpi dhe para hyrjes së ndërtesës hasa në gjashtë qen. Edhe më parë më janë sulur disa herë dhe kanë lehur kah unë, kështu që prisja se si herët e tjera vetëm do të lehnin. Por kësaj here mu sulën, më rrethuan dhe nisën të kërcejnë mbi mua. Zakonisht kam biçikletë ose çantë shpine për t’u mbrojtur, por në atë rast isha pa asgjë. Qeni më i madh, i cili edhe më parë më ka sulmuar disa herë, më kafshoi në këmbë. Instinktivisht e godita dhe arrita të largohem e të hyj në pallat“, tregoi ai.

Po atë mbrëmje ka shkuar në Spitalin Shtetëror për kontroll.

“Viteve të fundit vij në Shkup për periudha më të shkurtra dhe sa herë që kthehem ka gjithnjë e më shumë qen dhe pothuajse çdo herë më sulmojnë. Çdo mbrëmje kur kthehem në shtëpi duhet të përgatitem psiqikisht dhe të pres që përsëri mund të sulmohem nga qentë”, tha ai.

NP “Llajka” gjatë vitit të kaluar kanë kapur rreth 1.000 qen, 850 prej të cilëve janë sterilizuar. Të tjerët kanë qenë qen me pronarë, raste të heqjes dorë nga pronësia ose qen të kapur sërish për shkak të humbjes së pullës në vesh.

Nga Qyteti i Shkupit nuk i përgjigjën lidhur me këtë temë.

Në fillim të këtij viti u njoftua se Qyteti i Shkupit do të investojë 30 milionë denarë për zgjerimin e kapaciteteve të NP “Llajka”, “për një zgjidhje të përhershme dhe sistemike” të problemit me qentë e rrugës, por deri sa të arrihet kjo Qyteti i Shkupit vazhdon të paguajë shuma milionëshe si dëmshpërblim për shkak të sulmeve nga qentë e rrugës.