Qendra Klinike nga sot mbeti pa dhjetëra mjekë, kjo është arsyeja

Mjekët dhe personeli tjetër mjekësor në Qendrën Klinike të cilët kanë arritur moshën e pensionit, nga sot përfundojnë punën në Klinikë, përkundër kërkesës së tyre për të vazhduar edhe për tre vjet.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se puna pas pensionit për disa mjekë nuk mund të vazhdojë për shkak se nuk kanë plotësuar numrin e intervenimeve e nuk janë treguar efikas në trajtimet mjekësore. Ministri i shëndetësisë Sali tha se me këtë hapet mundësia për punësimin e studentëve të posadiplomuar.

“Sot sillet vendimi që një pjese të kërkesave të tyre tu përgjigjemi pozitivisht për tu vazhduar edhe një vit puna, ndërsa pjesa tjetër do të pensionohen me qëllim të mundësimit për të punësuar kuadër të ri cilësor që ende presin. Kam paralajmëruar për nismën e punësimin e 50 studentëve më të suksesshëm që kanë kryer medicinën me përfaqësim inkluziv nga Universiteti ‘Goce Dellçev’ i Shtipit dhe Universiteti i Tetovës”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Sindikata e Qendrës Klinike thonë se bëhet fjalë për 80 mjekë, ndërsa Sali tha se në listë janë rreth 30. Alsat siguroi një listë në të cilën figurojnë 48 mjekë që dalin në pension.

Lista e doktorëve të sapo pensionuar
“13 nga Pediatria, 7 nga Klinika infektive, 5 nga Hematologjia, 4 nga Ortopedia, nga 3 prej Kardiologjisë, Pulmologjisë e Reumatologjisë, 2 prej Karil, Psikiatëri, Endokrinologji dhe Gastro, 1 në Traumatologji.”

Nga Sindikata e Qendrës Klinike insistojnë që po u shkelet e drejta e tyre ligjore, duke u thirrur në Ligjin për marrëdhënie pune dhe Ligjin për mbrojtje shëndetësore. Paralajmërojnë padi.

“Ligji është i qartë, nuk ka kritere të listës së pritjes sa studentë presin për punësim. Ligji këtë nuk lejon! E obligon si ministrin ashtu edhe drejtorët të ju vazhdoj punën kuadrit të specializuar, që nuk zëvendësohet brenda natës. E gjatë është përgatitja e doktorëve që tu thuash lehtësisht shkoni ju që keni mbushur 64 vjet. Ku është luks i madh i shtetit tonë”, u shpreh Goran Begoviq, Drejtor i Sindikatës së Qendër Klinike.

Në nivel vendi, numri i mjekëve që do të pensionohen sot kalon mbi 100. Mungesa më e dukshme do të thellohet në Spitalin e Kumanovës ku sot u pensionuan 5 specialistë, hiç më mirë nuk është as në spitalet tjera. /Alsat.mk