Pas më shumë se një viti e gjysmë, sot përfundon gjendja e krizës për shkak të virusit në Maqedoni

Pas më shumë se një viti e gjysmë, sot përfundon gjendja e krizës në Maqedoni, e shkaktuar nga pandemia me Covid-19, thonë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sot është dita e fundit e kësaj situate të cilën Qeveria e shpalli më 20 nëntor 2020. Fillimisht ishte afatshkurtër dhe më pas Kuvendi e zgjati tri herë në gjashtë muaj.

“Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se afati i fundit për ekzistimin e gjendjes së krizes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë një pandemie të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nga sëmundja infektive COVID-19 e shkaktuar nga SARS-CoV-2 dhe për të parandaluar përhapjen e saj me një intensitet të shtuar, që rrezikon sigurinë e popullatës, përfundon sot (30 qershor 2022) në mesnatë”, thuhet në njoftimin e QMK-së.

Në nëntor 2020, kjo situatë krize u shpall për herë të parë në nivel të gjithë vendit, me kërkesë të Këshillit të Sigurimit. Më herët, presidenti Stevo Pendarovski, nga marsi deri në qershor 2020, pesë herë shpalli gjendje të jashtëzakonshme afatshkurtër.