Mickoski paralajmëron skenarë destabilizues: “Nuk do të bie në kurthin e shërbimeve.”

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski akuzoi Bullgarinë se po shfrytëzon anëtarësimin në BE për të bllokuar integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për të imponuar çështje që lidhen me historinë dhe identitetin maqedonas.

Në fjalimin me rastin e 23 Tetorit, ai paralajmëroi për provokime të mundshme dhe përpjekje që vendi të përfshihet në problemet e shteteve fqinje.

Mickoski pretendoi se pas anëtarësimit në BE, Bullgaria nisi të përdorë mekanizmat evropianë për të penguar procesin integrues të Maqedonisë. Ai theksoi se asnjë veto apo presion nuk mund ta ndryshojë, sipas tij, kujtesën historike maqedonase.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu për veprimtarinë e shërbimeve të ndryshme dhe akuzoi disa aktorë të opozitës se mund të përfshihen në skenarë të tillë, pa përmendur emra apo paraqitur prova.

“Nuk do të bie në kurthet e shërbimeve të ndryshme dhe provokimeve”, deklaroi Mickoski, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e tensioneve dhe provokimeve etnike.

Pavarësisht kritikave ndaj Sofjes, ai tha se Maqedonia e Veriut nuk duhet të heqë dorë nga integrimi evropian, ndërsa përsëriti se do të vazhdojë politikën që e cilësoi si mbrojtëse të interesave kombëtare maqedonase.