Qafëthanë, banorët paralajmërojnë bllokim të rrugës

Banorët lokal nga disa fshatra të Strugës paralajmërojnë bllokimin e rrugës drejt Qaf Thanës. Ata ndjehen të revoltuar për shkak se shteti nuk e ka mbajtur premtimin që deri në fund të vitit të fillojë rindërtimi i kësaj rruge. Nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore heshtin dhe nuk përgjigjen në pyetjen nëse dhe kur eventualisht do të fillojnë punët ndërtimore.

Nëse deri në fund të dhjetori nuk fillon rikonstruktimi apo ndërtimi i rrugës së re nga Struga drejt kalimit kufitar Qafë Thanë, banorët e fshatrave përreth kërcënojnë me protesta dhe bllokime të rrugëve. Me vite të tëra, rruga është në gjendje të mjerueshme, edhe pse në këtë rrugë gravitojnë fshatra të mëdha si Shum, Radolishtë, Teferiç dhe Frangovë.

Aksi në fjalë është ndërtuar në kohën e Jugosllavisë dhe prej atëherë e deri më tani, përveç arnimit të vrimave, nuk është bërë asgjë për rikonstruimin e tij. Alsat pyeti në Ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore se kur do të fillojnë punimet në këtë aks rrugor, por përgjigje nuk morëm. Paraprakisht në shtator na thanë që nëse lejojnë kushtet e motit, rindërtimi do të fillojë në fund të këtij viti.