Putini po përdor ushtrinë për të demonstruar një fiksim të ri/ DW zbardh prapaskenat për lëvizjet ushtarake në Ukrainë

Tani, Putini po përdor ushtrinë për të demonstruar një fiksim të ri për Ukrainën – grumbullimi i fundit i trupave është i dyti këtë vit. Në vend që të jetë produkt i një nostalgjie të përhapur për unitetin e së kaluarës, shumë analistë rusë argumentojnë se vrëngëllimi i shpatave për Ukrainën është bërë strategji për Putinin.

“Kremlini mendon se Perëndimi i injoron plotësisht interesat ruse kur Rusia përdor gjuhën e diplomacisë”, tha për DW Dmitri Trenin, drejtor i Qendrës Carnegie Moscow. “Duket se tani Rusia po përdor instrumentet ushtarake si një mjet për të avancuar diplomacinë.” Në të vërtetë, si forcimi aktual i trupave në kufirin ukrainas ashtu edhe një tjetër në fillim të këtij viti i kanë mundësuar Putinit të takohet me Presidentin e SHBA, Joe Biden. Pas një samiti dypalësh në qershor, presidenti rus u takua këtë javë me homologun e tij amerikan përmes një lidhjeje të sigurtë me video.

Putini këmbënguli se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të përbënte një “vijë të kuqe” për Rusinë dhe ai kërkoi garanci që NATO nuk do të shtrihet më në lindje, veçanërisht duke mirëpritur Ukrainën. Trenini nga Carnegie dhe analisti politik Konstantin Kalaçev thonë se presidenti rus e sheh NATO-n si një kërcënim real, veçanërisht që nga stërvitjet e fundit ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së në Detin e Zi pranë gadishullit të aneksuar të Krimesë, të cilin Rusia e konsideron territorin e saj. “Putini dëshiron dy gjëra: stabilitetin dhe sovranitetin”, tha Kalaçev për DW, duke shpjeguar se ai e sheh NATO-n si një kërcënim për të dyja.

ImagePresidenti rus Vladimir PutinFOTO GALERI
Një Krime e re?

Por lëvizjet ushtarake të Rusisë pranë Ukrainës synojnë gjithashtu një audiencë kombëtare, sipas analistit politik dhe ish-shkruesit të fjalimeve të Putinit, Abbas Gallyamov. Në fund të fundit, aneksimi i Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 rezultoi në një rritje të madhe të popullaritetit për Vladimir Putin (88% në atë kohë). Sipas Gallyamov-it, situata aktuale është provë se Putini nuk dëshiron që mbështetësit e tij të mendojnë se ai “nuk është më ai që ishte”, ose se po tregon dobësi ndaj Ukrainës.

Por analisti nuk mendon se një pushtim i plotë i Ukrainës fqinje do të ishte një vendim popullor në Rusi. “Rusët tashmë e dinë se fitoret ndërkombëtare jo vetëm që çojnë në një ndjenjë krenarie kombëtare, por gjithashtu pasohen nga një shtypje politike në vend dhe një rënie e standardeve të jetesës.” Marrja e Krimesë gjashtë vjet më parë e izoloi Rusinë ndërkombëtarisht, duke rezultuar në sanksione të SHBA dhe Evropës dhe duke tensionuar marrëdhëniet me Perëndimin.

Stabiliteti dhe sovraniteti

Stepan Gonçarov, një sociolog në Qendrën Levada, një institut i pavarur sondazhi, thotë se shumicën e rusëve vitet e fundit tashmë i kanë bërë të ndihen sikur po jetojnë në një “gjendje lufte”.

“Kjo ndjenjë e tensionit të vazhdueshëm ka filluar të rëndojë mbi njerëzit. Më parë, tema [e luftës] ishte diçka e re, ajo përcillte ndjenjën e përkatësisë në një perandori, të të qenit pjesë e një kombi të madh dhe të fortë”, thotë Gonçarovi për konfliktin në Ukrainë dhe përfshirjen e Rusisë në konfliktin në Siri. “Njerëzit tani preferojnë të jetojnë në një vend që është më pak ambicioz [në plan ndërkombëtar] dhe më bujar me qytetarët e tij, një vend që është më i qëndrueshëm, më i parashikueshëm dhe më i pasur ekonomikisht.”/DW