Putin në telashe, Rusia më shumë po humb territore se po fiton në Ukrainë

Muajin e kaluar, Ukraina arriti të çlirojë më shumë territor sesa Rusia ka marrë nën kontroll – hera e parë që Moska pëson një humbje neto territoriale që nga inkursioni i Ukrainës në gusht 2024 në rajonin jugor rus të Kurskut, sipas një analize të “Institute për Studimin e Luftës” (ISW), një monitor amerikan i konflikteve.

Edhe pse sasia e territorit të çliruar nga Ukraina mbetet shumë e vogël – Rusia ende kontrollon pothuajse 20 për qind të territorit të Ukrainës – Kievi për momentin duket se ka epërsinë, shkruan cnn.

Ky është problem për Moskën dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, i cili gjithmonë ka këmbëngulur se fitorja e Rusisë në luftë është e pashmangshme, sepse trupat ruse vazhdojnë të marrin më shumë territor ukrainas dhe, herët a vonë, do të marrin nën kontroll të gjithë rajonin lindor të Donbasit.

Kjo narrativ ka qenë gjithmonë i dobët, duke pasur parasysh sa të ngadalta dhe jashtëzakonisht të kushtueshme kanë qenë përparimet ruse që nga pushtimi i plotë në vitin 2022, por ai ka ndikuar në dëm të çështjes së Ukrainës.

Në disa raste, edhe presidenti amerikan, Donald Trump është dukur se e ka pranuar këtë pikëpamje, duke deklaruar se Rusia po e fiton luftën dhe duke i thënë famshëm presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky vitin e kaluar se ai “nuk i ka letrat”.

“E gjithë premisa e taktikës negociuese të Putinit është përdorimi i kësaj lufte njohëse për ta bindur Perëndimin se nuk ka kuptim të mbështesë Ukrainën dhe se ata duhet thjesht ta shtyjnë Ukrainën të pranojë tani të gjitha kërkesat e Rusisë”, tha Christina Harward, zëvendësdrejtuese e ekipit për Rusinë në ISW, për CNN.

“Kjo në të vërtetë po e shpon atë narrativë të tërë”, shtoi ajo.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, tha të martën se muajt e fundit kanë qenë “rekord” për sa i përket sukseseve të Kievit në vijën e frontit.

“Ne kemi eliminuar 35 mijë rusë gjatë prillit dhe marsit… Rusia nuk ka forcë të mjaftueshme për të vazhduar operacionet ofensive. Ushtria ukrainase po e lodh Rusinë”, tha ai.

Zyrtarë perëndimorë kanë deklaruar, duke u bazuar në të dhëna të inteligjencës, se humbjet ruse arrijnë rreth 30 mijë deri në 35 mijë në muaj.