Putin kërkon listën e vendeve që kanë sanksionuar Rusinë, mes tyre edhe Shqipëria

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar listën e vendeve që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, kompanive, organizatave dhe qytetarëve rusë. Nuk dihet arsyeja se përse ai e ka kërkuar një informacion të tillë.

Mes vendeve që i ka vënë sanksione Rusisë është dhe Shqipëria. Vendi jonë ka mbyllur hapësirën ajrore për të gjithë operatorët rus apo çdo avion të regjistruar në Rusi pas agresionit ushtarak në Ukrainë.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se kjo është vetëm një nga masat ekonomike që Shqipëria ia ka vendosur Rusisë, masa këto që sipas saj do të mbesin në fuqi për aq kohë sa Rusia vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

Sanksionet përfshinë 654 individë dhe 52 subjekte si dhe po ashtu është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin e Shqipërisë për personat e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Sanksionet ekonomike të autoriteteve shqiptare për Rusinë përfshijnë masa kufizuese në financa, energji dhe teknologji. Në sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës.

Sanksionet në sektorin e teknologjisë përfshinë kufizime për eksportet e mallrave dhe teknologjisë të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Përpos sanksioneve ekonomike, Shqipëria nuk do të luajë asnjë ndeshje sportive kundër Kombëtares së Rusisë, me të cilën kishte një ndeshje të programuar në qershor të këtij viti. Nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri personat e vendosur në listën e sanksioneve nga Bashkimi Evropian.