Shkruan: Blerim Shala
Në vitin 2025, me të cilin do të merr fund çereku i parë i shekullit XXI, do t’i mbushim 26 vjet liri dhe 17 vjet shtet.
Kriza e madhe politike në Kosovë dhe rreth Kosovës doli në shesh në vitin 1989, dhe ajo zgjati 10 vjet të plota, deri në përfundimin e luftës, në qershorin e vitit 1999.
Natyrisht, për ne, për shqiptarët e Kosovës, gjithçka nisi në vjeshtën e vitit 1912, kur Kosova u okupua nga Serbia.
Pra, epoka historike e okupimit zgjati 87 vjet të plota.
Matja e kohës dhe e historisë që shfaqet këtu, nga ai pikëshikimi i një historiani objektiv, do të mund të shquhej me një mungesë habie. Deceniet në historinë e një kombi, e një populli, kanë më së shumti vlerën dhe peshën sa vitet në jetën e një njeriu (e ndoshta edhe më pak).
Kur ne si lexues i kthehemi, ta zëmë, historisë antike, i kapërcejmë shekujt e tërë me pak rreshta lexim, dhe assesi nuk e kuptojmë dot faktin që rënia e Perandorisë së Romës (asaj perëndimore), ka zgjatur treqind vjet të plota. Në rastin tonë, po të kthehemi treqind vjet më parë, në vitin 1724, mund vetëm ta marri me mend ku kemi qenë, në historinë që edhe atëherë, edhe më para dhe edhe më vonë (deri në vitin 1912), ka njohur si adresë supreme Perandorinë Osmane.
Por, për shembull, e dimë ku kemi qenë njëqind vjet më parë, në vitin 1924. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë popull në largim e sipër nga atdheu i tyre, në rrethanat politike dhe shoqërore të cilat nuk i premtonin asgjë të mirë këtupari.
E dimë, gjithashtu, si na gjeti viti 1974 (pra 50 vjet pas asaj pike më të ulët në historinë tonë kur kërcënoheshim prej ikjes kolektive nga Kosova), në atë shtetin e përbashkët të RSFJ-së.
Nëse jemi sadopak objektiv në trajtimin e rrjedhave historike, do të mund të konstatojmë saktë që statusi politik dhe juridik që e fitoi Kosova në vitin 1974 (si njësi federale e RSFJ-së), luajti rolin e një themeli mbi të cilin do të hedh shtat Lëvizja politike për vetëvendosjen e Kosovës. Të gjitha ngjarjet e viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta në Kosovë dhe rreth Kosovës (demonstratat e vitit 1981, luftimi i këtij statusi nga Serbia në vitet 1987-1989, lindja e Lëvizjes politike për pavarësimin e Kosovës në vitet 1989/ 1990), kanë si referencë të pashmangshme Kushtetutën e Kosovës dhe statusin e saj të vitit 1974.
Sidoqoftë, nuk është qëllimi në këtë shkrim për ta bërë vlerësimin e ngjarjeve kryesore që shtruan udhën për të mbërri në ato datat vendimtare të identitetit tonë si popull, si shoqëri, si vend, si territor, si fat (gjithsesi).
Në këtë hapërimin e shpejtë para dhe prapa në historinë tonë, me fare pak rreshta, mund të kuptojmë (sërish), sa shpesh kemi qenë një hap larg humnerës dhe tragjedisë finale, e cila do të kishte domethënien e prishjes a shkëputjes së lidhjes në mes të kombit shqiptar dhe Kosovës, dhe sa rrallë jemi afruar përcaktimit të fatit tonë në përputhje me vullnetin kolektiv.
Dhe nëse nga kjo perspektiva e zhvillimeve të historisë sonë prej vitit 1912 e këndej (duke mos u kthyer më prapa), provojmë të analizojmë gjendjen e tanishme të Kosovës, duket që imponohen dy përfundime kategorike:
Së pari, ne si popull e kemi merituar lirinë dhe shtetin. Çlirimi dhe pavarësimi na ka kushtuar shumë shtrenjtë, por nuk ka çmim që nuk duhet paguar për të qenë popull i lirë në një shtet tëndin. Këtë, zaten e dimë të gjithë. Këtë mësim e kemi brenda secilës familje shqiptare të Kosovës.
Së dyti, punët ende nuk i kemi kryer kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë afatgjatë të shtetit të Kosovës.
Për një popull i cili, thënë simbolikisht, i ka shpëtuar togut të pushkatimit kolektiv disa herë, kjo sprovë a kjo detyrë nuk duket e vështirë, apo e pa-bëshme.
Mund të durojmë edhe vite dhe decenie të tjera në këtë status të paqartë kur bëhet fjalë për njohjen universale (si thuhet), si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian.
Ky është një mendim mbizotërues ndër ne. Po ky është mendim i gabuar, gjithsesi.
Duhet t’i kryejmë të gjitha punët që na kanë mbete në këtë kontekst. Koha nuk punon për ne. Dhe Bota po ndryshon për të.