Paris Saint-Germaini dhe Manchester City takohen në ndeshjen më interesante të xhiros së shtatë të Ligës së Kampionëve. Është kjo xhiroja e parafundit e fazës së ligës në Champions.
Ndeshja zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në “Parkun e Princave” dhe mund të jetë e parafundit në këtë edicion të Ligës së Kampionëve për njërën apo skuadrën tjetër. Pra si Parisi ashtu edhe Manchester City rrezikojnë që mos ta kalojnë me sukses fazën e ligës, që prej këtij edicioni e zëvendëson fazën e ligës.
Kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini dhe ai i Anglisë, Manchester City, nuk kanë shfaqur atë që pritej në gjashtë xhirot e para.
Parisi mblodhi vetëm shtatë pikë dhe është jashtë zonës që dërgon në fazën e plejofit. Ndërkohë Manchester City i ka vetëm tetë pikë dhe po ashtu rrezikon shumë të eliminohet, sidomos nëse dështon në Paris.
Në xhiron e fundit, më 29 janar, Manchester City e pret Club Bruggen, ndërsa PSG-ja luan në udhëtim ndaj Stuttgartit.
City e Parisi kanë nisur kampanjën me Champions me synim për të shkuar deri në fund. Por aktualisht fokusin të dy skuadrat e kanë se si të kualifikohen në plejof.
Skuadrat prej vendit të 25-të deri në vendin e 36-të eliminohen pas fazës së ligës, përkatësisht pas xhiros së tetë. Tetë skuadrat e para në tabelë avancojnë direkt në një të tetën e finales, ndërsa skuadrat prej pozitës së nëntë e deri në pozitën e 24-t luajnë në fazën e plejofit. Prej fazës së plejofit më pas kalohet në një të tetën e finales.
“Do të jetë një ndeshje e veçantë për shkak të rëndësisë së pikëve dhe për faktin se do ta takojë një shok të vjetër, Pep Guardiolan, me të cilin kam luajtur së bashku dhe me të cilin kemi kaluar shkollën e njëjtë të trajnerit te Barcelona. Kemi filozofi shumë të ngjashme kështu që duhet të jetë ndeshje e mirë”, ka thënë trajneri i Parisit, Luis Enrique.
Parisi po dominon në kampionatin francez, por në Champions ka shfaqur fytyrë tjetër. Ka shumë vjet që Parisi e synon suksesin në Champions, por deri më tani pa sukses.
“Synimi është që të jemi sa më efikas kur e kemi topin. Është ndeshje që duhet të fitohet. Të gjithë lojtarët duhet të japin 100 për qind nga vetja. Ju mund të humbni ndeshje, por kjo është jeta. Gjëja më e rëndësishme është të jesh i përkushtuar”, ka thënë Enrique.
City i Pep Guardiolas ka pasur telashe edhe në Premier League. Në kampionatin anglez aktualisht e mban vendin e pestë me 38 pikë.
Shenja se po e kalon krizën, City dha në fundjavë kur fitoi 6:0 ndaj Ipsëichit. Por vetëm një ndeshje më parë u ndal në barazim 2:2 nga Brentfordi. Manchester Cityt po i mungon stabiliteti dhe kjo mund të ketë ndikim në ndeshjen në Paris.
“Na pret ndeshje vërtet e rëndësishme, por e kemi edhe një ndeshje në shtëpi ndaj Brugge. Nuk e di sa pikë na duhen për kualifikim. Tani vjen periudha më e vështirë e edicionit në kuptimin e kundërshtarëve që do të kemi përballë”, ka thënë Pep Guardiola.
Ai foli me shumë respekt për Enriquen.
“Më pëlqen çdo gjë për Luisin dhe për mënyrën se si luan Parisi. Familjet tona janë shumë të afërta. Unë i dua ata dhe mendoj se ata na duan neve. Kemi lidhje të jashtëzakonshme dhe jemi të lumtur kur e shohim njëri-tjetrin. Nga thellësia e zemrës dua një paraqitje të dobët të Parisit nesër, në mënyrë që ta mposhtim. Por do të jenë 95 minuta dhe më pas raporti me Luis Enriquen do të jetë gjithnjë aty”, ka shtuar Guardiola.
Sulmuesi i Cityt, Erling Haaland, ka thënë se ndien energji shumë pozitive në skuadër.
“Ishte periudhë e vështirë, por e ndiej energjinë. Kemi ushtruar shumë mirë dhe mendoj se e kemi kaluar tashmë. Shikojmë para drejt ndeshjes në Paris dhe më pas drejt shumë ndeshjeve tjera të rëndësishme”, ka thënë Haaland.