Ashtu si pritej, Borussia Dortmundi e trajneri Nuri Shahin kanë ndarë rrugët.
Dortmundi ka shkarkuar Shahinin pas humbjes 2:1 nga Bologna, të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve.
Shahin qëndroi në krye të skuadrës së madhe gjermane për vetëm gjashtë muaj.
“Ne e vlerësojmë lart Nuri Shahinin dhe punën e tij. Kemi shpresuar në bashkëpunim afatgjatë dhe deri në fund kemi shpresuar se mund të bëjmë një ndryshim sportiv së bashku. Pas katër humbjeve rresht dhe pas vetëm një fitoreje në nëntë ndeshjet e fundit dhe vendit të dhjetë në Bundesligë, ne fatkeqësisht kemi humbur besimin se mund të arrijmë synimet sportive me përbërjen aktuale. Ky vendim më lëndon personalisht, por ishte i pashmangshëm pas ndeshjes në Bologna”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Lars Ricken.
Turku Shahin kishte drejtuar vetëm Antalyasporin para se në verën e kaluar të merrte drejtimin e Dortmundit. Ai si lojtar ka luajtur gjatë për Dortmundin, ndërsa kishte periudha edhe te Real Madridi e Liverpooli dhe te skuadra të tjera.
“Për fat të keq nuk kemi arritur të realizojmë synimet sportive të Borussia Dortmundit këtë edicion. I dëshiroj klubit të veçantë çdo të mirë”, ka thënë Shahin.
Menjëherë të shtunën Dortmundi luan ndeshje në Bundesligë ndaj Werder Bremenit.