Pse vetëm toponimet në gjuhën shqipe po na dalim me gabime

Shkruan: Prof. dr. Berton SULEJMANI

Shpeshherë kemi vërejtur luhatje në shkrimin e këtyre toponimeve, kryesisht në
tabela rrugore, në tabela elektronike të stacioneve hekurudhore e të autobusëve, si p.sh.:
*Novo Sellë (maq. Ново Село) në vend që ta shkruajnë Novosellë (pashq.) Novosella
(shq.); *Radishanë (maq. Радишани) për Radishan (pashq.) Radishani (shq.).

Përpjekje për të vënë sadopak rend në përdorimin e emrave të përveçëm të
vendeve në tabelat rrugore në Maqedoninë e Veriut prore kanë ekzistuar. Madje, krahas
gjithë këtij kaosi gjuhësor që ka ndodhur te ne, sidomos nga viti 1991 e deri më sot, këto
përpjekje kryesisht kanë qenë individuale e kolektive (katedrat e gjuhës shqipe Shkup e
Tetovë). Andaj, nevoja e hartimit të një politike gjuhësore zyrtare në Maqedoninë e
Veriut siç ndodhi me themelimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, e cila tashmë është
në një fazë të re, pra në fillimet e punës së saj, është për t’u përshëndetur, sepse puna e
angazhimi i gjuhëtarëve dhe dashamirëve të gjuhës nuk mund t’i tejkalojë të gjitha këto
probleme gjuhësore, por domosdo duhej të krijohej një institucionin që do të merrej me
këto çështje.

Mjafton të udhëtoni nëpër qytetet, fshatrat e lagjet e kryeqytetit, veçanërisht në
vendbanimet shqiptare, qoftë me mjetet e transportit publik, qoftë me ato private gjithçka
do ta keni të qartë, sepse numri më i madh i emrave të vendit në tabelave rrugore është
vetëm në gjuhën maqedonase. Megjithatë, me ndryshimet e fundit kushtetuese, tabelat
rrugore, i gjejmë edhe në gjuhën shqipe, por një pjesë e tyre edhe me gabime
drejtshkrimore. Madje, nuk është e mundur të kalojë një javë pa qenë pjesë e lajmeve
gabimet drejtshkrimore në mbishkrimet në gjuhën shqipe. “Për çudi”, këto gabime
ndodhin vetëm me mbishkrimet në gjuhën shqipe, assesi në gjuhën maqedonase e gjuhën
angleze. Më shkon mendja mos vallë këto gjëra mund të jenë edhe të orkestruara nga
qarqe të ndryshme, gjithnjë me qëllim të defokusimit të shqiptarëve nga problemet tjera
në këtë shtet. Besoj që secili nga ju pajtohet me mua se gabimet e llojit *Maqedonisht
Operës dhe Baletit (Македонска Опера и Балет) në vend të Teatri i Operës dhe i
Baletit në Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vijnë nga një shqiptar, qoftë edhe pa
shkollim adekuat.

Krahas kësaj, një punë që është më shqetësuese është përdorimi i toponimeve në
gjuhën shqipe. po e ilustroj me disa shembuj, edhe pse të tillë kemi shumë.

Në vazhdim të këtij shkrimi do të përpiqem që nëpërmjet disa shembujve të vijmë
në disa përfundime të cilat do të ndihmonin në tejkalimin e këtyre vështirësive që po na
ndodhin prore. Ja disa nga luhatjet kryesore:
1. Në emrat e vendeve të tipit: (maq. Копачин Дол, Ново Село, Ново Лисиче,
Гази Баба, Кисела Вода, Крива Паланка etj., nuk do të duhej që në gjuhën shqipe të
shkruhen ndaras, pra në dy pjesë siç i kemi në maqedonishte, por në një vend.
Mbishkrimet e tipit *Kopaçin Doll, *Novo Sellë, *Novo Lisiçe, *Gazi Babë, *Kisella
Vodë, *Kriva Pallankë etj., janë në kundërshtim me traditën e shkrimeve të emrave të
vendeve në gjuhën shqipe. Forma e drejtë e shkrimit të emrave të mësipërme do të duhej
të ishte: Kopaçindoll, Novosellë, Novolisiçe (në këtë lagje jetojnë edhe shqiptarë, andaj
do të duhej që të dalim në terren dhe t’i konsultojmë banorët shqiptarë të kësaj lagjeje se
si e quajnë ata këtë lagje. Kam përshtypje se ata e quajnë vetëm Lisicë e lagjen e re
Lisicë e Re, herë-herë e dëgjojmë edhe *Dhelpra e Re), Gazibabë, Kisellavodë etj.
Ndërsa emrat, si Крива Паланка, Ѓорче Петров, Демир Хисар, Македонска
Каменица, Македонски Брод (Kriva Pallanka, Gjorçe Petrov, Demir Hisar,
Makedonska Kamenica, Makedonski Brod) do të duhej të shkruheshin Kriva-
Pallankë,~a, Gjorçe-Petrov,~i, Demir-Hisar,~i, Makedonska-Kamenicë,~a,
Makedonski-Brod,~i, etj. Mendoj se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, sepse edhe në
“Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1976) gjejmë Dimitrovgrad,~i,
Shëngjin,~i, përkatësisht Novi-Sad,~i, Shën-Naum,~i, por edhe Shëngjin,~i.
2. Nga ana tjetër, në mbishkrimet e autobusëve të NQP-së të qytetit të Shkupit
vërejmë: * Radishanë (maq. Радишани) për Radishan (pashq.) Radishani (shq.) etj. Pra,
në Radishan e jo në *Radishanë (sepse trajta e shqyuar do të na dilte Radishana) jetojnë
edhe shqiptarë të cilët prore kanë thënë: Në Radishan jetoj prej kohësh. Radishani është
lagje e qetë.

3. Përdorimi i emrave të vendit në trajtë të shquar apo të pashquar është një
laramani dhe mosunifikim tjetër të cilin e vërejmë. Emrat e vendeve kur shoqërohen me
shifër kilometrash, si: Kumanovë 15 km, Shkup 10 km, Tetovë 30 km, Strugë 90 km që do
të thotë: Deri në Shkup 10 kilometra, Deri në Tetovë 30 kilometra e kështu me radhë.
Prandaj në këtë rast si normë mendojmë të jetë trajta e pashquar e emrit. Përdorimi i
emrave të shquar në këto raste (d.m.th. Kumanova 15 km; Struga 90 km) nuk na duket i
pranueshëm, sepse kuptimi këtyre do të ishte: Kumanova mban 15 km dhe Struga mban
25 km, ku emrat e përveçëm emërtojnë vende të njohura nga kalimtarët, çka nuk i
përgjigjet gjithnjë realitetit. Edhe kur në vend të shifrave të kilometrave emrat e
përveçëm të vendeve shoqërohen me një shigjetë për të treguar drejtimin për në ato qytete a fshatra, mirë do të ishte që të shkruhen në trajtë të pashquar, si: Kumanovë, Shkup, Tetovë, Strugë etj.

Emrat e përveçëm në tabelat e vendosura në stacionet e autobusëve e në stacionet
hekurudhore duhet të shkruhen në trajtë të pashquar, si: Qendër, Gostivar, Kërçovë,
Ohër. Të njëjtat mund të zbërthehen kështu: Ky stacion quhet Qendër. Ky është stacioni
“Qendër”. Jemi në stacionin Qendër, prandaj edhe nuk është e nevojshme që në këtë rast
të shënohet edhe fjala stacion, siç ndodh ndonjëherë (stacioni Tetovë).
Nga na tjetër, do të duhej të përdoreshin në trajtë të shquar në hyrje të qytetit a
fshatit, të cilët të njohin me qendrën e banuar që kalimtari ka përpara: Kumanova,
Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga. Ohri (= Kjo është Kumanova. Ky është
Shkupi etj.).

Si përfundim, këto gabime drejtshkrimore të mbishkrimeve në tabelat rrugore
është mirë që të marrin fund. Propozoj, që para se të vendosen në rrugë, të konsultohen
me specialistë të kësaj fushe, pra specialistë e jo me ata që e kanë mbaruar edhe fakultetit
e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Me fjalë të tjera, gjithçka të shkojë në mënyrë zyrtare dhe
nesër, gjithsecili të marrë edhe përgjegjësinë eventuale.
(Autori është dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tetovës)