Bllacalinjtë të pakënaqur me çmimin e tokës, Georgiev: Bllaca është vend malor dhe ka tokë bujqësore

200 deri në 400 denarë është caktuar çmimi i tokës në të cilën do të ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë. Kjo ka sjellë pakënaqësi tek pronarët e tokave, të cilët tashmë disa herë kanë shprehur revoltën e tyre.

Por si është vlerësuar toka me këtë çmim? Autoritetet thonë se Bllaca është vend malor, me drunj kryesisht të vegjël dhe tokë bujqësore. Vlerësuesi i tokës në kuadër të Ekspertizës Ligjore, Antonio Georgiev thotë se ka disa momente kur toka bujqësore mund të transformohet në tokë ndërtimore, por gjatë shpronësimit ajo sërish mbetet tokë bujqësore dhe prandaj ka çmim të ulët.

“Në këtë territor i cili ka qenë lëndë e vlerësimit gjatë periudhës së kaluar, parcelat që janë përfshirë janë tokë bujqësore dhe çmimi për tokë bujqësore në atë pjesë të shtetit sillet nga 200 deri në 400 denarë. Në disa momente toka bujqësore ka mundësi të transformohet në tokë ndërtimore, por gjatë shpronësimit, ku shteti bën ndryshim të karakterit të tokës, çmimi caktohet në bazë të kategorisë së tokës bujqësore”, deklaroi Antonio Georgiev.

TV 21: Si erdhët deri te vlerësimi, sepse banorët ankohen se ju nuk keni dalë në terren?

“Ne kemi dalë në terren, janë vizituar një numër i madh i parcelave dhe për këtë ekziston dokumentacion bashkë me një kompani e cila duhet t’i tregojë të gjitha karakteristikat”, u përgjigj Georgiev.

Banorët kanë kërkuar çmim më të lartë të tokës, por Georgiev sqaron se vetëm dy parcela në gjatësinë prej 12 kilometrave mund ta arrijnë vlerën për 50 euro metër katror.

Bllacalinjtë kanë vlerësuar se po u bëhet padrejtësi në raport me pronarët e tokave në autostradat e tjera të cilat sipas tyre janë paguar më shtrenjtë. Por Georgiev deklaroi se njëjtë vlerësohen edhe tokat ku ndërtohet autostrada Kërçovë – Ohër, Strumicë e Radovish.

“Nuk mund të kërkojmë brenda natës ne çmime të larta dhe të bëjmë krahasime se një lokacion është aq, e tjetri aq. Gjithkund, doni Kërçovë – Ohër, doni Strumicë, Radovish, gjithkund vlera e tokës bujqësore është aq sa është”, tha Georgiev.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, Nebi Hoxha thotë se çmimi që është dhënë është real.

“Duke e pasur parasysh se ajo pjesë e cila është e planifikuar për trasenë e autostradës, një pjesë ka të bëjë me zona rurale, kostoja e tokës është e përafërt në atë rajon dhe ka një vlerë të caktuar. Ka momente ku pronarët e tokave kërkojnë vlera që janë pak më të larta se vlera reale”, deklaroi Nebi Hoxha.

Edhe Georgiev edhe Hoxha kujtuan bllacalinjtë, se për çmimin e tokës mund të ankohen në gjykatë.

Ndryshe toka duhet të shpronësohet, sepse duhet të ndërtohen 2 kilometrat e parë të autostradës Shkup – Bllacës. Kjo u paralajmërua për në muajin mars, por siç duket nisja e punimeve ende është larg.